Këtë të enjte në emisionin Opinion kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi denoncoi vëllain e kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama në lidhje me laboratorin e drogës në Xibrakë. Ai përmendi 3 elementë që sipas tij përkojnë me Olsi Ramën, por shtoi se prokuroria dhe policia nuk i kanë hetuar siç duhet që kanë të bëjnë me moshën e tij, flokët e shkurtra dhe përdorimin e një mjeti. Duke analizuar këto elemente, pedagogia Iris Luarasi rrëzoi provat e Bardhit duke i shtruar edhe një pyetje se çfarë vendimi do të jepte nëse do të ishte ai gjykatës dhe të kishte përpara këto prova.
“E para 45 vjeç në atë vit në Shqipëri mund të kenë qenë edhe 100 mijë të tjerë. Burra me flokë të shkurtër, 99% e burrave që jetojnë në Shqipëri dhe fakti që është përdorues i kësaj makine ndërkohë që ajo makinë është në pronësi të një zonje dhe e kanë përdorur makinën dhe njerëz të tjerë dhe nga deklarata që dëgjojmë nga zoti Olsi Rama ai nuk mohon asnjë prej lidhjeve me pronarët e makinës. Nuk thotë që nuk i njoh këta njerëz. Ai thotë kam njohje në distancë me njërin prej tyre. Të treja këto elemente nuk e di nëse quhen dot prova dhe i bëj një pyetje zotit Bardhi nëse ai do ishte gjykatësi i çështjes sot. Nëse ju sot do ju vinte një prokuror, do ju sillte këto 3 të dhëna dhe do ju thoshte këto janë 3 fakte të pakundërshtueshme që një person është 45 vjeç, që ai është me flokë të shkurtra dhe që ai është përdorues i këtij mjeti. Ju si gjykatës çfarë vendimi do të jepnit sot?”, pyeti ajo.
Ndërkohë që Bardhi u përgjigj se nuk është gjykatës dhe me denoncimin e tij po ndihmon prokurorinë.
“Sot kam ndihmuar prokurorinë t’i fshijë pluhurin asaj dosjes që ka më shumë sesa 8 vjet që rri atje veçuar se ka nevojë për t’u hetuar, por në fakt nuk hetohet. Së dyti kam dhënë të dhënat meqenëse policia nuk e identifikonte dhe ka parë vetëm moshën. Policia ka thënë ky është 45 vjeç, përdor këtë makinën, por unë nuk e di sesi quhet. Po jap një indicie që ky mund të quhet Olsi Rama. Unë nuk jam për të dhënë vendim gjykate, por jam për të nxitur organet e drejtësisë dhe këtë duhet të bësh dhe ti dhe çdo njeri tjetër”, u përgjigj ai./tvklan.al