Bayer Leverkusen i këtij sezoni është shndërruar në një frymëzim për shumë skuadra. Një ecuri pa asnjë humbje po përjeton edhe Al Hilal, që hodhi një hap të madh drejt titullit kampion në Arabinë Saudite.
Fitorja me përmbysje 2-1 në fushën e Al Ahli dërgoi në 30 numrin e takimeve pa humbje, për të mbajtur në 12 pikë distancën me skuadrën më të afërt, Al Nassr.
Braziliani Malcolm ishte heroi për skuadrën e Horge Zhesus, duke zbehur në maksimum mungesën e Nejmar tek kjo skuadër. Fillimisht, ish-lojtari i Zenit Shën Petersburg asistoi për sulmuesin Mitrovic për golin e barazimit 1-1.
Shumë pranë fundit të kohës së rregullt, ai realizoi golin e fitores, për ta afruar klubin drejt titullit rekord të 19-të në Superligën arabe.
Al Hilal kishte një ecuri fenomenale në të gjithë garat këtë sezon, duke mos pësuar humbje në 45 ndeshje radhazi. tashmë, Al Hilal i duhet matematikisht vetëm një pikë në 5 takimet e fundit për t’u shpallur kampion në Arabinë Saudite.
Klan News