“SHBA ka ofruar 2 milionë Dollarë që Struktura Anti-Korrupsion të jetë e pavarur”
Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion, e njohur ndryshe si SPAK, do të godasë korrupsionin në nivelet e larta të politikës.
Ambasada amerikane ka publikuar në Facebook një video që tregon se si do të funksionojë kjo strukturë, për të cilën thotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë investuar 2 milionë Dollarë që SPAK të jetë i pavarur.
Ambasada e SHBA thotë se goditja dhe lufta kundër korrupsionit është prioritet i punës së saj, e për këtë arsye, SPAK do të shënjestrojë korrupsionin e nivelit të lartë.
“Qeveria e Shteteve të Bashkuara është e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e sundimit të ligjit në mbarë botën. Lufta kundër korrupsionit është prioritet i punës së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Këtë javë, mësoni se si Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion dhe Krim i Organizuar, ose SPAK, do të funksionojë. Me t’u ngritur, do të shënjestrojë korrupsionin e nivelit të lartë. Kjo video tregon se si mbështetja prej 2 milionë dollarësh nga Shtetet e Bashkuara po përdoret për të siguruar që SPAK do të ngrihet dhe do të funksionojë në mënyrë të pavarur”, njofton ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë. /tvklan.al