Ambasadori i Meksikës në Argjentinë është dorëhequr pasi është kapur nga kamerat duke vjedhur një libër në një librari. Ricardo Valero, 77 vjeç, u thirr fillimisht nga Ministri i Punëve të Jashtme të Meksikës këtë muaj pasi u bënë publike pamjet.

Ambasadori shihet teksa merr librin e fut mes gazetës dhe largohet. Sipas mediave, libri mendohet se është një biografi e Giacomo Casanova-s, një autori, spiuni dhe playboy të shekullit të 18-të.

Qeveria pranoi dorëheqjen e Valeros të dielën pasi u akuzua edhe për një vjedhje tjetër. Kësaj here ai mori një bluzë nga një dyqan në një aeroport. Ministri Marcelo Ebrard i uroi diplomatit shërim të shpejtë. Ndërkohë mediat raportojnë se ai i ka mbijetuar një tumori në tru 6 vite më parë dhe gjendja e tij ka qenë gjithnjë nën monitorim.

Kjo nuk është hera e parë që diplomatë dhe politikanë kapen duke bërë vjedhje. Pak kohë më parë një kongresmene republikane u akuzua se kishte vjedhur gjëra me vlerë 2.300 dollarë nga një dyqan “Target”./tvklan.al