Anëtarët amerikane të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, i kanë kërkuar Partisë Socialiste të Shqipërisë t’i jap fund bojkotit të saj dhe të kthehet në parlament.

Alcee Hastings, kryetar i Komisionit Amerikan të Helsinkit dhe ish-President i Asamblesë së Përgjithshme të OSBE-së, tha nga Vjena për televizionin Klan, se vendimi i gjykatës mbi rezultatin e zgjedhjeve të 28 Qershorit qëndron mbi gjithçka.

Alcee Hastings: “Mendoj se është jetike për t’u kuptuar se vetëm zgjedhjet nuk përbëjnë demokraci. Kur gjykata merr një vendim sundimi i ligjit është jetik, që njerëzit të kuptojnë se ai vendim qëndron mbi gjithçka. Mesa kam kuptuar unë opozita po thotë, se mazhoranca duhet të hedhë poshtë vendimin e gjykatës. Mendoj se ky është një gabim, në qoftë se opozita kërkon dhe shpreson të ndryshojë Kushtetutën në Shqipëri. E thash dhe e përsëris, nuk favorizoj mazhorancën apo minorancën, por favorizoj Shqipërinë dhe zbatimin e ligjit, e në pikëpamjen time, si një person që i kam vëzhguar ato zgjedhje, e në qoftë se gjykata ka pranuar ato standarde për të cilat ne thamë se plotësuan kriteret e OSBE-së, ajo duhet të jetë vendimtare”.

I të njëjtit mendim është dhe Robert Aderholt, anëtar i Kongresit Amerikan, i cili vlerëson se zgjedhjet e vitit të shkuar ishin të rregullta.

Robert Aderholt: “Zgjedhjet janë qenë të drejta dhe s’ka patur probleme apo  parregullsi sa i takon atyre. Mendoj  se kjo duhet respektuar. Do të inkurajoja të gjithë që të bashkohen, të   njohin qeverinë, e t’i kthehen punës. Me siguri sa herë që ka një protestë, ne i marrim shumë seriozisht këto shenja në SHBA, por në këtë rast është e qartë se ata që kundërshtojnë janë ata që kanë humbur. Duhet të ecni përpara, sepse ka zgjedhje të tjera që ju presin. Me informacionin që kam dhe me atë çka më kanë informuar, zgjedhjet ishin të rregullta, e në të nuk kishte asgjë të pa rregullt. Mendoj se duhet të ecni përpara”.

Në raportin e saj për zgjedhjet OSBE i vlerësoi ato në përmbushje me shumicën e angazhimeve të organizatës dhe shenjë e një progresi të dukshëm të vendit./tvklan.al