Andis Harasani, anëtari i kryesisë socialiste dhe një prej firmëtarëve të kërkesës drejtuar sekretariatit të PS-së për mbledhjen e kryesisë së partisë vetëm 4 ditë përpara kongresit të jashtëzakonshëm, në një intervistë për Klan shpjegon arsyet e thirrjes së kësaj mbledhje.

Sipas Harasanit kryesia e thirrur në përputhje me statutin e partisë, duhet të analizoj situatën postzgjedhore, si dhe duhet të nis menjëherë punën për modelimin e grupit të ri parlamentar.

Andis Harasani: “E gjykuam që është një kërkesë e domosdoshme, e nevojshme  të mblidhet kryesia e PS-së. Janë 5 pika të cilat kemi kërkuar, pika e parë është formatimi dhe modelimi i grupit parlamentar të PS-së. Siç e dini më datë 7 shtator fillon sesioni i ri parlamentar dhe është detyrë e kryesisë së PS-së. Aq më shumë në kushtet kur kryetari i PS ka dhënë dorëheqjen. Është detyrë e kryesisë që të mbledhë, të formatojë, të caktojë se kush do jetë kryetari i ri i grupit, kush do jenë dy nënkryetarët e ri të grupit parlamentar, kush do jenë kryetarët e komisioneve, sekretar i grupit parlamentar.”

Një kërkesë tjetër legjitime që 9 firmëtarët rendisin në shkresën e tyre është dhe garantimi i zhvillimit të kongresit në transparencë të plotë.

Gjë që nuk ndodhi në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste ku gazetarët u lanë pas dyerve të ambienteve, ku u zhvillua mbledhja dhe kjo për shkak të debateve dhe të zërave kundra rezolutës “Rama” paraqitur në asamble.

Andis Harasani: “Vijmë nga humbja e zgjedhjeve të Qershorit. Është personale i kemi humbi apo si kemi humbur zgjedhjet, por në fund të fundit objektivi i çdo partie politike është të vijë në pushtet. Përsa kohë ne nuk arritëm ta realizojmë këtë objektiv, qoftë sepse disa vota u vodhën dhe prapë kjo është përgjegjësi e jona sepse në disa zona nuk arritëm objektivin elektoral dhe prapë është përgjegjësi e jona. Në këto kushte mendoj që do jetë i domosdoshëm që kongresi të jetë sa më transparent, kongresi të jetë i gjithi në media, të jenë të ftuar nga të gjitha spektret e politikës shqiptare, ambasadat. Pra të jetë një kongres sa më transparent në mënyrë që ti tregojmë qoftë socialistëve, qoftë atyre votuesve përtej të majtës dhe të djathtës që ne dimë të ndryshojmë, ne dimë të rimodelohemi, të riorganizohemi për të qenë të gatshme për betejat elektorale. Duhet të kemi parasysh që kemi të bëjmë me një opozitë e cila në numër është më e madhe se opozita 2005 e 2009. Kemi të bëjmë këtë radhe me dy aleanca, me dy kundërshtarë të cilët janë bërë aleat pra me zotin Meta dhe zotin Berisha. Duke pasur parasysh të gjitha këto përgjegjësi kërkojmë që ky kongres të jetë sa më transparent, të arrijmë të kuptojmë atë çka për mua është kryesore është që PS është në opozitë për shkak të çarjes dhe ajo çka ka nevojë PS-ja sot më shumë se kurrë është të kemi durimin, të kemi inteligjencën që ta dëgjojmë njëri-tjetrin, të gjejmë pikat e përbashkëta në mënyrë që të evitojmë në çdo mënyrë një përçarje të PS-së.”/tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka