Mbrojtësi rrezikon të qëndrojë jashtë fushave për 1 muaj
Dëmtimi ndaj Milanit do t’i kushtojë shtrenjtë Ardian Ismajlit. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare duket se do të detyrohet të qëndrojë për një periudhë relativisht të gjatë jashtë fushës së lojës.
Ismajli ka pësuar lëndim në kofshë dhe i është nënshtruar analizave më të detajuara, ku është konfirmuan tërheqjen e muskujve. Sipas gjasave, ky dëmtim nënkupton një mungesë rreth një muaji për mbrojtësin nga fusha e lojës, deri në rehabilitimin e tij të plotë.
Një problem për Empolin e përfshirë në luftën për mbijetesë në Serinë A, por edhe për Kombëtaren kuqezi, ku Ismajli është një element fiks në prapavijë. Trajneri Silvinho e kishte planifikuar futbollistin si pjesë e skuadrës për miqësoret e marsit që do të shërbejnë për konsolidimin e lojës së skuadrës para EURO 2024.
Por mesa duket plani do të ndryshojë për shkak të kësaj mungese të rëndësishme, pasi Ismajli është një nga më të preferuarit e tij. Në këtë mënyrë, braziliani do të duhet të zgjedh një tjetër mbrojtës për të qenë i gatshëm në dy duelet miqësore ndaj Kilit më 22 mars dhe Suedisë tre ditë më pas. Të dy përballjet do transmetohen falas dhe ekskluzivisht në televizionin kombëtar “Klan”.
Klan News