Në ndeshjet e fundit kishte qenë një nga më të kritikuarit, por kundër Empolit, Kristjan Asllani bëri një paraqitje më të mirë dhe tregoi shenja rritjeje. Ai dha asistin në goditjen nga këndi për golin e Denzel Dumfries në pjesën e dytë dhe tregoi se është i dobishëm për zikaltrit.
Mesfushori kuqezi komentoi suksesin ndaj ish-ekipit të tij, Empolit.
“Jam i lumtur! E dinim se sa e rëndësishme ishte fitorja, ne luajmë për të fituar çdo takim. E njoh shumë mirë ambientin e Empolit, kam luajtur atje për 13 vite. Nuk e humbin rastin për të ardhur në ‘San Siro’ dhe për t’u paraqitur mirë. Në pjesën e parë gjetëm pak hapësirë, më pas në pjesën e dytë Lautaro zhbllokoi lojën me një gol të bukur! Jemi të lumtur, marim 3 pikë me rëndësi!”, tha Kristjan Asllani.
Lojtari kuqezi u vlerësua edhe nga stafi teknik i Interit në përfundim të ndeshjes. Zëvendëstrajneri i Interit. Masimiliano Farris e përgëzoi atë për lojën e zhvilluar.
“Dua të përgëzoj Kristjanin. “San Siro” është një stadium që të vendos në presion, por ai zhvilloi një ndeshje shumë të mirë edhe pse me Bologna nuk luajti keq, por u kritikua. Ka treguar se është një lojtar për Inter”, tha Farris.
Asllani ka kontratë me zikaltrit deri më 30 Qershor të 2028. Por në këtë merkato dimri interes për 22-vjeçarin ka treguar Bolonja.
Klan News