Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, në takimin me drejtorët rajonal të OSSH-së, lidhur me planin e masave për furnizimin me energji elektrike gjatë sezonit veror, bëri ditur se janë ngritur task-forca dhe po ashtu është bërë edhe një përmirësim i sistemeve. Ajo siguroi se do të ketë furnizim të plotë me energji elektrike përgjatë sezonit veror në të gjithë territorin.
“Fluksi i turistëve ka nisur që prej fillimit të majit dhe presim të mbyllet në tetor. Janë ngritur task forcash në terren. Kjo kërkon masa konkrete për të siguruar furnizim pa ndërprerje me energji në të gjithë territorin”.
Numri dy i qeverisë tha se përqendrimi kryesor do të jetë në zonat ku ka fluks të lartë të turistëve, duke mos lënë pas dore dhe qytetet e tjera.
“Vëmendja kryesore qëndron në ultësirën perëndimore, si zona me dendësinë më të madhe të hoteleve dhe njësive tregtare që i shërbejnë turizmit, por nuk duhet lënë pas dore edhe fakti që tashmë njësi hotelerie kemi edhe në zonat malore, të cilat nga ana e investimeve nuk kanë të njëjtin sasi investimesh siç ka pasur pjesa e ultësirës perëndimore apo qytetet kryesore. Kështu që atje ndoshta duhet vëmendje më e shtuar me grupet e punës dhe grupet e gatshme që duhet të kemi në terren. Koordinimi ka qenë i mirë deri më sot”.
Administratori i OSSH, Blendian Dalipi raportoi për numrin e punonjësve në terren, duke theksuar se i gjithë remonti do të përfundojë më 20 qershor.
“Në të gjithë territorin do të jenë në gatishmëri 1128 punonjës dhe 88 automjete për t’iu përgjigjur çdo avarie. Nga ana tjetër do të hapen edhe 30 pika shërbimi, kryesisht në zonat bregdetare”.
Zëvendëskryeministrja Balluku u shpreh gjithashtu se qeveria po përgatit një ligj të veçantë që do t’i dedikohet investimeve në zonat veriore në turizëm apo agroturizëm që ka për synim edhe përthithjen dhe kthimin e emigrantëve që duan të vijnë dhe të vlerësojnë pronën që kanë dhe detyra e parë që do të lindi menjëherë është forcimi i rrjetit.
Tv Klan