54 familje, që kanë humbur shtëpitë e tyre në kohën e firmave piramidale, pas shumë peripecish tani do të mund të futen në banesat e tyre të reja. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama i ka dorëzuar autorizimet kryefamijarëve të 54 familjeve të pastreha të cilësuara si të kategorisë së parë.
Edi Rama: “Ju kërkoj ndjesë duke dashur njëkohësisht t’ju shpjegoj që kjo vonesë nuk ka qenë absolutisht një vonesë subjektive, nuk ka qenë aboslutisht një mungesë e dëshirës apo e vullnetit tonë për t’jua dhënë autorizimin në dorë që ditën e parë që keni ardhur, por ka qenë një vonesë objektive e kondicionuar, e kushtëzuar nga varfëria e këtij shteti.”
Këto familje do të strehohen në pallatet e sapopërfunduara në lagjen e Laprakës të njohura si pallatet e firmës “VEFA”. Sipas drejtoreshës së strehimit në Ministrinë e Turizmit, zonjës Doris Andoni, shumë shpejt është menduar që të mund të strehohen edhe 24 familje të tjera, që jetojnë në kushte tepër të vështira. Ndërsa kjo ministri ka llogaritur, sipas Andonit, një fond prej 60 milionë lekësh nga buxheti i shtetit për strehimin e të pastrehëve. /tvklan.al