27 vendet anëtare të unionit rikonfirmuan edhe nga samiti BE-Ballkani Perëndimor, ku mori pjesë edhe Kryeministri Rama se e ardhmja e rajonit tonë është në Bashkimin Europian.

Përmes një deklarate të përbashkët dhe më pas në një konferencë për shtyp, krerët më të lartë të Brukselit ritheksuan angazhimin e plotë për zgjerimin, duke e cilësuar një investim gjeostrategjik për paqe, siguri, stabilitet dhe prosperitet, por duke u kujdesur t’u tregojnë vendeve aspirante përmbushjen e detyrave.

Antonio Costa, Presidenti i Këshillit Europian: Duhet të krijojmë të gjitha kushtet për zgjerim. Duk ka asnjë dyshim që e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE. Vetëm merita duhet të përcaktojë mundësinë e integrimit ose jo.

Ursula von der Leyen, Presidente e KE-së: Çdo zgjerim e bën më të fortë BE, por vendet kandidate duhet të jenë të qarta për progresin që duhet të kenë. Duhen reforma.

Hapi i parë për të mbështetur vendet e rajonit përmes planit të rritjes është integrimi në tregun e përbashkët europian, ku Shqipëria dhe Mali i Zi do të hyjnë të parat.

Ursula von der Leyen, Presidente e KE-së: Kemi 300 milionë Euro për të mbështetur reformat. Hapi i parë do të jetë integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët europian. Do ta bëjmë akoma më të lehtë dhe më funksionale, kalimin e kufijve. Do të japim më shumë akses me kosto më të ulëta të kapitalit financiar, Shqipëria dhe Mali i Zi do të bashkohen në këto iniciativa vitin që vjen dhe vendet e tjera më pas.

Në deklaratë kërkohet angazhim lidhur me zbatimin e Korsive të Gjelbërta BE-Ballkani Perëndimor, si dhe vijim i përpjekjeve për reduktimin e kostove të roamingut ndërmjet vendeve të unionit dhe atyre të rajonit për të arritur një marrëveshje afatgjatë që do të përfshinte rajonin në zonën e BE-së “Roam like at home”.

Dokumenti i përbashkët që doli nga tryeza e samitit i bën thirrje vendeve të rajonit të zgjidhin mosmarrëveshjet brenda vetes dhe fqinjëve të BE-së, ndërkohë që Kosova e Serbia ftohen të avancojnë në procesin e normalizimit të raporteve ndërmjet tyre duke përmbushur detyrimet që rrjedhin nga dialogu me ndërmjetësimin e BE-së.

Në samitin BE-Ballkani Perëndimor u përshëndetet fakti se takimi i rradhës së liderëve europianë do të mbahet vitin e ardhshëm më 16 Maj në Tiranë.

Tv Klan