Përmirësimi i shërbimeve publike në nivel vendor, është objektivi kryesor i një projekti prej 1 milion eurosh i financuar nga Bashkimi Europian për vendin tonë. Tre njësitë pilotë që i janë nënshtruar fillimisht këtij projekti janë Bashkia e Shkodrës, Komuna e Dajtit dhe Këshilli i Qarkut Elbasan.

Këto 3 njësi gjatë një konference kombëtare të zhvilluar në kryeqytet, prezantuan përvojën e tyre gjatë vitit të parë të projektit dhe hodhën ide të reja për atë që duhet të ndryshojë në të ardhmen, për funksionimin sa më të mirë të tyre. Përmirësimi i procedurave të licencimit për bizneset e qytetarët përveç shmangies së procedurave burokratike synon edhe rritjen e transparencës së sektorit publik e privat.

Albert Brojka: “Të reformohet sistemi i licencimit por jo asaj i shërbimeve që të jetë sa më i pranueshëm, sa më transparent dhe sa më në shërbim të qytetarëve dhe të biznesit që e kërkon”.

Ledia Muço: “Dhe 20 njësitë e tjera vendore do të mund të përfitojnë nga kjo eksperiencë pozitive që është testuar në 3 njësi lokale dhe në këtë mënyrë i gjithë programi do të synojë të rrisë aksesin dhe transparencën si dhe shkallën e standardizimit të procedurave të licencimit në nivel vendor”.

Rezultatet e dala nga sondazhi mbi licencimin vendorë i kryer në bazë të këtij projekti në Shqipëri, tregojnë se njohuritë e procedurave të licencimit janë sipërfaqësore në shumicën e rasteve. 58% e biznesmenëve besojnë se kryhen pagesa plus për të përfituar licencë. Ankesat më të shumta që vijnë prej qytetarëve dhe bizneseve i referohen kohës së humbur përpara sporteleve. Ndërkohë që shumica e qytetarëve thonë, se ligjet ekzistojnë por zbatimi i tyre lë për të dëshiruar./tvklan.al

Gazetare: Daniela Kostandini

Operator: Izdor Rudho