Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka përsëritur qëndrimin e deputetëve demokratë, se do të votojnë kundër heqjes së imunitetit të deputetit demokristian Nikollë Lesi. Sipas Berishës, ky akt i kryeministrit Fatos Nano nuk ka të bëjë me shpifje apo fyerje ndaj familjes së tij, por ka për qëllim shtypjen e fjalës së lirë.
Sali Berisha: “Lesi nuk u miklua nga ofertat, sepse e vërteta është që ai oferta të tilla ka pasur edhe për poste ministrore, çka hedh poshtë në mënyrë absolute padinë e tij gjoja për ofendim apo shpifje, sepse atë për çka është paditur ishte publike, në kohë kur i ofrohej posti i Ministrit të Kulturës.”
Kundër heqjes së imunitetit të Lesit është shprehur edhe grupi parlamentar i LSI.
Ilir Meta: “Qëndrimi që ne kemi mbajtur deri tani në mbrojtje të lirisë së shtypit dhe të informacionit, dihet që botuesi i njohur zoti Lesi, ka qenë vazhdimisht nën trysninë e ofertave, joshjeve, por edhe kërcënimeve, për t’i shërbyer qeverisë aktuale dhe kuptohet se gjithë ky penalizim politik ndaj tij është si rezultat i mospajtimit të tij me këto presione dhe me këto oferta që shumë të tjerë edhe i kanë pranuar.”
Mësohet se edhe grupet parlamentare të majta, aleatë të PS, nuk do të pranojnë heqjen e imunitetit të deputetit Lesi./tvklan.al