Fitorja me Izraelin shikohet si mënyra e vetme për të shpresuar ende për një fushatë kualifikuese të suksesshme në Kupën e Botës 2018. I këtij mendimi është Etrit Berisha, i cili e quan një dështim vendin e tretë duke çuar më tej synimin e Kombëtares.
Etrit Berisha, futbollist i Kombëtares:
Duhet të fitojmë me Izraelin, që të shpresojmë te vendi i dytë, ky është pikësynimi ynë, pastaj pse jo të mendojmë për më shumë. Nëse do ta mbyllnim të tretët do të ishte një dështim, nuk mund ta quajmë një sukses duke iu referuar Europianit, pasi në të tilla aktivitete në disa raste nuk mund të mjaftojë edhe vendi i dytë për tu kualifikuar.
Ledian Memushaj preku edhe ndeshjen me Italinë ku zbuloi se Shqipëria shikohet me repekt nga rivali në grupin kualifikues.
Ledian Memushaj, futbollist i Kombëtares:
Në Itali kanë respekt dhe frikë për ne, por këtë nuk e kam menduar, pasi më parë vlen ndeshja me Izraelin.
Kuqezinjtë po vijojnë me përgatitjet. Shpresë po jep Armando Sadiku që po stërvitet rregullisht, por vendimin përfundimtar do ta marrë stafi teknik. Shqipëria do të luajë me Izraelin të shtunën në orën 20:45 në Elbasan./ TV KLAN