Sergei Lavrov po thotë se NATO duhet ta ndalë Sali Berishën në turin e tij për ta bashkuar kombin shqiptar e kryeministri shqiptar zgjodhi t’i përgjigjet Ministrit të Jashtëm rus mu në selinë e NATO-s në Kosovë. Komentet e Berishës ishin interesante. Më ke keqkuptuar, i tha ai Lavrovit.
Sali Berisha: “Është për të ardhur keq, ministri Lavrov parmbrëmë ka deklaruar, ka thënë ato që unë nuk kam thënë. Unë nuk besoj se ai ka dëshiruar të thotë ato që unë nuk kam thënë. Shpresoj të jetë një vështirësi, të vijë nga vështirësia e lindur që rusët kanë për të përkthyer nga shqipja në rusisht.”
Këto komente Berisha i bëri të mërkurën gjatë takimit me komandantin e KFOR-it Markus Bentler në kuadër të vizitës së tij në Kosovë.
Me këtë rast ai tha se shteti i tij nuk ka nevojë të tërgjë ushtarë në Kosovë pasi ky është një vend stabil dhe numri i paqeruajtësve këtu po pakësohet.
Sali Berisha: “Ishte vendimi ynë i përbashkët se Kosova është një nga vendet më të sigurta dhe këtu KFOR-i ka meritën e tij të veçantë.”
Komandanti i trupave të KFOR-it, gjenerali Bentler tha se përkrahja e vazhdueshme e NATO-s dhe e Shqipërisë është shumë e rëndësishme për veprimet dhe sukseset e tyre.
Markus Bentler: “Jemi duke i kontribuar ambientit të sigurisë dhe të gjithë jemi pajtuar se i kemi kontribuar së bashku gjatë këtyre 10 vjetëve një ambienti pozitiv dhe një të ardhmeje më të mirë.”
Kreu i forcave të NATO-s në Kosovë ishte njëri nga 2 personalitetet ndërkombëtare që Sali Berisha takoi gjatë vizitës së tij./tvklan.al