Dega e Partisë Demokratike në Durrës ka festuar fitoren në këtë qark të koalicionit Aleanca për Ndryshim në zgjedhjet e 28 Qershorit.

Një festë ku ishte i pranishëm dhe kryeministri njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike Sali Berisha.

Kryeministri gjeti rastin të falënderojë për besimin të gjithë banoret e këtij qarku. Këtu ai theksoi se ky besim do të shndërrohet në një mandat me angazhime të mëdha në gjithë historinë e vendit.

Me këtë kryetari i qeverise nënkuptoni vënien në funksion të plotë te të gjitha potencialeve që disponon vendi duke garantuar zhvillimin e tij.

Sali Berisha: “Sot ne nisim këtë mandat si një vend anëtar i NATO-s, ne nisim këtë mandat pasi jemi bërë të famshëm në Evropë dhe më gjerë për klimën e biznesit, ne nisim këtë mandat pasi kemi faktuar shqiptarëve dhe mbarë botës se ne nuk ka projekt që nuk mund të zbatojë në këtë vend në interesin publik të shqiptarëve. Pra ne vijmë në pushtet më të fuqishëm, më të kthjellët, më të vendosur se kurrë për t’ia ndryshuar në kuptimin e vërtetë të fjalës faqen këtij vendi”.

Kryeministri tha se për Durrësin edhe në këtë mandat të ri do të zbatohen projekte të mëdha. Këtu ai kujtoi disa prej vendimeve më të rëndësishme të mbledhjes më të fundit të KRTRSH-s ku u vendos ndërtimi i të paktën katër resorëve turistike vetëm në Gjirin e Lalzit.

Sali Berisha: “Jemi ne, ata që ndaluam D2 në qarkullim në masën 80 % dhe nga 1 janari i vitit që vjen nuk do të lejojmë asnjë litër naftë D2. Jemi ne, ata, tё cilët do vendosim që asnjë ndërtim, asnjë vepër industrial, sado e rëndësishme të jetë ajo, të mos tejkalojë me asgjë standardet e vendeve anëtare të BE-së. Por, po në këtë kontekst, Durrësi do të ketë parkun e vetë të fuqishëm industrial dhe parkun e vet energjetik. Nuk janë antiglobalistët ata që kujdesen për mjedisin. Ata kanë thjesht dhe strikt interesa mafioze”.

Fjalimin e tij kryeministri Berisha e përfundoi me një falënderim të posaçëm për të rinjtë shqiptar duke ua dedikuar atyre fitoren në zgjedhjet e 28 Qershorit./tvklan.al