Në kuadër të asistencës së Bashkimit Europian me afërsisht 1 milion euro për Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit është organizuar dhe Konferenca Kombëtare për këtë shoqëri. Kryeministri Berisha dhe Ambasadori i Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë Lohan, kanë përshëndetur konferencën duke vlerësuar rëndësinë që ka teknologjia e informacionit në shoqëritë e zhvilluara.
Kryeministri ka bërë një përmbledhje të të gjitha nismave të ndërmarra nga qeveria në kuadër të projektit Shqipëria në moshën digjitale.
Sali Berisha: “Të 2200 shkollat e vendit, duke filluar nga marsi që vjen, do të kenë internete dhe kabinete të informatikës, po bëhen përpjekjet për të kompletuar … prokurimet publike nga janari i këtij viti, do të jenë vetëm elektronike, marsi që vjen do të bëjë që të gjithë biznesmenët shqiptarë pa përjashtim të aplikojnë online taksën e tyre”.
Megjithatë Berisha ka pranuar se pavarësisht hapave pozitiv, vendi mbetet mbrapa në krahasim me nivelin botërorë për sa i përket përdorimit të internetit në rang kombëtarë.
Sali Berisha: “Por ka dimensione të tjera të cilat janë jetike për moshën digjitale dhe në të cilat ne jemi prapa. Kemi shtrirë themelet edhe kemi bërë, kemi ec shpejt, duhet të jemi shumë më të shpejt. Do të bëjmë çdo gjë të fitojmë shpejtësinë e moshës. Qeveria është e vendosur të mobilizojë të gjitha fondet e nevojshme për të kapur, për të hyrë sa më shpejt në moshën digjitale”.
Duke theksuar rekomandimet e përmendura në progres-raportin e KE-së për vitin 2008 për Shqipërinë, ambasadori Lohan tha se mbeten ende për t’u përcaktuar strategjitë për teknologjinë e informacionit dhe nevojat për trajnime, ndërsa shtoj se kërkohen përmirësime të mëtejshme në infrastrukturë dhe përputhshmëri me praktikat më të mira të BE./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka
Montazh: Vilma Halilaj