Për kryedemokratin Sali Berisha buxhet i vitit 2025 i paraqitur nga qeveria Rama parashikon zero rritje të pagave dhe injoron totalisht shëndetësinë, arsimin, fermerët dhe biznesin.

“Çfarë ndodh me rrogat? Zero rritje rrogave në vitin 2025.  Çfarë ndodh me fermerët? Trajtim qesharak i paimagjinueshëm. Taksa ndëshkuese TVSH nuk ndryshon dhe lihen gjithsej 40 milionë për ata të cilët japin mbi 20 përqind të prodhimit bruto të vendit. Atyre u thuhet falimentoni, falimentoni, falimentoni”.

Teksa cilëson si ç’njerëzore trajtimin e moshës së tretë, duke mos parashikuar, sipas tij, asnjë rritje për rreth 800 mijë pensionistë.

“Çfarë të pengon ty të kalosh në fondin e pensioneve 700 mln euro suficit. Nuk ka një qëndrim më të pandërgjegjshëm. Biznesit i janë marrë 8.2 miliardë euro. Pensionistëve i janë lënë 16 mln euro. A e dini se çfarë bëri me ta këtë vit. Këtë vit ua mori pensionistëve 4% që u takonin ta merrnin nga muaji mars në tetor dhe tani do të ua japë dhuratë për vitin e ri. Ky është një akt i shplarë”.

Berisha ndërkohë bëri të ditur se opozita do të paraqesë dy amendamente, një përcaktimin e minimumit jetik në 200 Euro ndërsa një amendament tjetër do të jetë për minatorët.

“Ligji i parë që do të miratohet Nuk do ketë qytetar shqiptar nën 200 euro, pavarësisht nga çdo gjë tjetër. Dhe pastaj dyfishim i rrogave. Rroga minimale 500 euro dhe ai sharlatani i Surrelit thoshte se po deklarojmë pensionin 500 euro. Kemi deklaruar rrogën minimale 500 euro”.

Në konferencën për shtyp, Berisha u ndal edhe takimi i Ramës në Greqi, teksa dënoi aktin e ndalimit të gazetarëve të TV Klan e A2CNN në kufirin e Kapshticës.

“Lidhur me aktivitetin e Edi Ramës me administratën publike në Selanik, ajo ishte një histori e turpshme mashtrimesh, abuzimesh dhe përdorimit të shtetit elektoral. Ndaj gjej rastin të përshëndes ata qytetarë që në sallë ia përplasën në fytyrë Edi Ramës mashtrimet që bëri, abuzimet e tij. Lidhur me qeverinë greke, unë dëgjova Edi Ramën që e falënderoi qeverinë greke për ndërhyrjen. Sa mund të jetë e vërtetë kjo, nuk mund të them. Kurse ndalimin e quaj absolutisht të papranueshëm, absurd dhe nuk duhej të kishte ndodhur kurrë”.

Sa i përket zgjedhjeve presidenciale në SHBA, Berisha tha se i ka kërkuar anëtarëve të PD që të votojnë për Partinë Republikane amerikane, duke i cilësuar këto votime si të rëndësishme jo vetëm për shtetin përtej Atlantikut, por edhe për mbarë botën.

Tv Klan