I bindur se amendamentet e opozitës për projektbuxhetin e vitit 2025 nuk do të pranohen nga mazhoranca, Sali Berisha paralajmëroi mosbindje civile jashtë Parlamentit me qytetarët ditën kur të miratohet libri i financave.

“Miratimi i këtij buxheti do të shoqërohet me protestë të fuqishme rreth Parlamentit, ku qytetarët, pensionistët, fermerët, të papunët, bizneset e vogla, të gjithë ata që dëshirojnë të thonë zërin e tyre në ditën e plaçkitjes më të madhe të vitit, plaçkitjes së buxhetit në Parlamentin e krimit.”

Edi Ramën e akuzon se po mashtron shqiptarët me premtime boshe, teksa e cilëson buxhet të krimit, dokumentin e financave që qeveria ka sjellë për votim. Paralajmëron një reformë të thellë të pagave me rikthimin e demokratëve në pushtet, teksa thotë se nuk do ketë pagë maksimale në Shqipëri 7 mijë Euro.

“Ne jemi përcaktuar për vendosjen me urgjencë të minimumit jetik prej 200 Eurosh për çdo shqiptar, vendosjen sa më shpejt të rrogës minimale 500 Euro, avancimin në rrogën mesatare në 1200 Euro. Jo rritje të rrogave të larta, përkundrazi ta harrojë kush se do marrë 7 mijë Euro, siç merr sot organizata kriminale e skapistëve, me dylbi do i shohin.”

Nën akuzë për lidhje me krimin nuk vuri vetëm anëtarët e BKH-së dhe të SPAK-ut, por tha se klanet e mafias po emërojnë edhe drejtues të lartë të uniformave blu, teksa 38 emra zyrtarësh do të kandidojnë për postet e larta të policisë në qarqe.

“Kush po i përzgjedh drejtorët e policisë? Drejtorët e policive po i zgjedh klani i Troplinit dhe i Bajrëve.”

Kreu i demokratëve tha se së shpejti selia blu do të nisë procesin e primareve, nga ku do përzgjidhen kandidatët e kësaj force politike që do të garojnë për zgjedhjet parlamentare të 2025-ës.

Tv Klan