4 vjet më parë nuk e takoi paraardhësin, por kësaj here, pas çajit në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump dhe bashkëshortja e tij erdhi në Kapitol së bashku me presidentin Joe Biden. Më pas hyri triumfues në sallën qendrore të Kapitolit, pas sfidave të shumta politike dhe ligjore. Donald Trump u betua si presidenti i 47-të i SHBA-së duke filluar një tjetër mandat të trazuar 4-vjeçar me premtime të shumta për të zgjeruar kufijtë e pushtetit ekzekutiv.
Sipas traditës, Trump qëndroi me dorën mbi Bibël brenda Kapitolit dhe pak para mesditës me orë vendore bëri betimin për të “ruajtur dhe mbrojtur” Kushtetutën e SHBA-së, një ceremoni e drejtuar nga Kryegjykatësi John Roberts. Zëvendëspresidenti JD Vance, u betua pak para tij. Trumpi e filloi fjalimin duke falënderuar të gjithë paraardhësit, përfshirë sfiduesen në zgjedhje, zv./presidenten Kamala Harris gjithashtu e pranishme në rreshtin e parë.
Fjalimi nisi dhe mbaroi me premtimin: Epoka e artë për Amerikën fillon tani.
“Epoka e artë e Amerikës fillon pikërisht tani. Nga kjo ditë e tutje, vendi do të lulëzojë dhe do të respektohet sërish në mbarë botën. Gjatë çdo dite të administratës Trump, do ta vendos Amerikën në vend të parë.”
“Do të rifitohet sovraniteti ynë. Siguria do të rikthehet.”
“Dhe prioriteti ynë kryesor do të jetë krijimi i një kombi krenar, të begatë dhe të lirë. Amerika së shpejti do të jetë më e madhe, më e fortë dhe shumë më e jashtëzakonshme se kurrë më parë.”
Trump u zotua të ndërmarrë një sërë veprimesh ekzekutive në orët e tij të para si president, ku 10 kryesoret do të jenë të fokusuara tek siguria kufitare dhe imigracioni. Presidenti do të shpallë një emergjencë kombëtare në kufirin jugor, do të dërgojë trupa të armatosura atje dhe do të rifillojë një politikë që detyron azilkërkuesit të presin në Meksikë për shqyrtimin e kërkesave të tyre për azil.
Presidenti i ri u zotua gjithashtu t’i japë fund të ashtuquajturës shtetësi nëpërmjet të drejtës së lindjes për fëmijët e lindur në ShBA, prindërve të të cilëve u mungon statusi ligjor, një veprim që sipas disa ekspertëve ligjorë është jokushtetues.
“Gjatë tetë viteve të fundit, jam testuar dhe sfiduar më shumë se çdo president në historinë tonë 250 vjeçare. Dhe unë kam mësuar shumë gjatë rrugës. Rrugëtimi për të rifituar republikën tonë nuk ka qenë i lehtë, mund t’ju them. Ata që duan të ndalojnë kauzën tonë janë përpjekur të ma marrin lirinë dhe jetën. Vetëm pak muaj më parë, gjatë fushatës në Pensilvani, një plumb më çau veshin. Por atëherë ndjeva dhe besoj akoma më shumë tani se jeta ime u shpëtua për një arsye. U shpëtova nga Zoti për ta bërë Amerikën përsëri të madhe.”
Presidenti Trump deklaroi se në fjalimin e tij të dytë inaugurues, se “rënia e Amerikës ka përfunduar” dhe se zgjedhja e tij ishte një mandat për t’i dhënë fund “një tradhtie të tmerrshme”. Ai premtoi se do të “vendoste Amerikën në vend të parë”, duke i bërë jehonë një slogani të hershëm të fushatës. Trump u zotua të “ribalancojë” peshoren e drejtësisë, një referencë ndaj hetimeve penale të cilat i ka cilësuar vazhdimisht si të motivuara politikisht. Asnjë referencë në fjalim ndaj ngjarjeve të 6 Janarit 2020.
Inaugurimi i Trumpit shënon kthimin e tij triumfues në Shtëpinë e Bardhë pas një fushate të gjatë dhe përçarëse politike. Ai vjen në pushtet pasi u mbijetoi dy gjyqeve, një dënimi penal, dy tentativave për vrasje dhe një akt-akuzë për përpjekjen për të përmbysur humbjen në zgjedhjet e vitit 2020.
Ceremonia e betimit u zhvendos brenda Kapitolit për shkak të të ftohtit ekstrem dhe u mbajt në të njëjtën sallë ku 4 vjet më parë mbështetësit e Trumpit u futën me forcë për të ndaluar certifikimin e fitores së Joe Biden.
Klan News