Tremujori i tretë i vitit 2024 ka shënuar një rënie të numrit të lejeve të ndërtimin të dhëna nga autoritetet.
Sipas INSTAT nga Korriku deri në Shtator janë miratuar gjithsej 354 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 361 leje të miratuara në tremujorin e tretë 2023, duke shënuar një ulje prej 1,9 %.
Nga totali prej 354 lejeve të dhëna për këtë periudhë, 266 janë për ndërtesa banimi, nga të cilat me 1 kat 61 leje, me 2 kate 106 leje dhe me 3 ose më shumë kate 64 leje. INSTAT bën të ditur gjithashtu se nga Korriku deri në Shtator janë dhënë edhe 12 leje për hotele.
Por ndërsa numri i lejeve ka rënë, sipërfaqja e ndërtimit është rritur. INSTAT raporton se sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e tretë 2024 është 814.340 m2, nga 455.181 m2 miratuar në tremujorin e tretë 2023, duke shënuar një rritje prej 78,9 %.
Në tremujorin e tretë 2024, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinerike është 33.3 miliardë Lekë, nga 18.9 miliardë Lekë miratuar në tremujorin e tretë 2023, duke shënuar një rritje prej 76,1 %.
Tv Klan