Moti i keq që përfshiu prej së hënës vendin tonë në zonat malore ka sjellë reshje dëbore dhe ulje të ndjeshme të temperaturave.
Në Qarkun e Korçës, në fshatin turistik të Dardhës, trashësia e dëborës arriti deri në 10 centimetra, ndërsa mëngjesin e sotëm për shkak të uljes së temperaturave në rrugë ka prezencë të madhe akulli, duke vështirësuar lëvizjen e mjeteve.
Prezencë akulli ka edhe në disa segmente të aksit Korçë- Ersekë- Leskovik dhe Zëmblak- Dogana e Gorricës.
Si pasojë e motit të keq kanë mbetur pa energji disa fshatra në Korçë, Kolonjë, Pogradec, Maliq dhe Devoll.
Në territorin e Bashkisë Shkodër ka bllokim të rrugës Kirë – Shosh, ndërkohë rruga Bogë – Theth është e kalueshme për automjete te pajisura me zinxhirë.
Për shkak të dëmtimit të rrjetit elektrik nga dëbora, fshatrat Njad-Shalë, Shosh dhe Pult janë pa energji elektrike.
Probleme me energjinë elektrike raportohen edhe në disa fshatra të Bashkisë Fushë-Arrëz.
Në qarkun e Dibrës reshjet e borës kanë zbritur deri në lartësinë 400 metra mbi nivelin e detit.
Trashësia në qytetin e Peshkopisë shkon në 5 centimetra, ndërsa në ekstremet më të larta të Qafë Murrizit dhe të Kalasë së Dodës kalon mbi 20 cm.
Tv Klan