Një prej historive më të dhimbshme të komunizmit nis në vitin 1967, kur u vendos që në Spaç të Mirditës të instalohej kampi ose “Reparti 303” i të burgosurve. Ishte i konceptuar si kamp pune të detyruar për minierën. Në 23 vite ekzistencë pati më shumë se sa 1 mijë të burgosur, pjesa më e madhe tyre të burgosur politikë.


Familjarët takoheshin me të burgosurit vetëm një herë në vit, në periudhën e dimrit. Atyre u duhej të përshkonin 15 km rrugë në këmbë, pasi makinat që transportonin mineralin kishin urdhër të mos merrnin asnjë prej tyre.

“Opinion” sjell këtë të Mërkurë detaje për ish-burgun më të tmerrshëm të Shqipërisë. Blendi Fevziu ka shkuar për të parë nga afër godinën e cila ruhet nga një banor i zonës.

Blendi Fevziu: Sa vjet ke që rri këtu?

-Unë jam  vendali, jam rritur këtu. Por që shërbej këtu ka 19 vite.

Blendi Fevziu: Ruan kampin?

-Përkujdesem…

Blendi Fevziu: Po duket shumë i rrënuar.

-Vetë koha dhe njerëzit e kanë bërë kështu. Nuk u përkujdes shteti.

Ai tregon pjesën hyrëse të godinës, aty ku kryhej kontrolli i familjarëve. Më tej është dhoma e takimit me familjarët, hapësira që i ndante mjaftonte vetëm sa për të takuar majat e gishtave përmes shufrave të hekurta. Takimi zgjaste 15 minuta në praninë e policit./tvklan.al