Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Kryetarët e grupeve parlamentare të mbledhur për të diskutuar mbi ngritjen e komisionit hetimor për tragjedinë e datës 9 Janar, ku humbën jetën 21 shtetas shqiptarë, fillimisht kanë debatuar për kushtet e tyre të punës për zyra dhe kondicionerë edhe pse Kuvendi shquhet për shpenzime të larta administrative.

Ligoraq Karamelo:- “Vërtetë është bërë një punë e madhe, qoftë edhe në drejtim të pajisjeve me makina të deputetëve, qoftë edhe në aspekte të tjera të përmirësimit, por duhet menduar më seriozisht me krijimin e kushteve të deputetëve për të punuar në mënyrë sa më dinjitoze, si përfaqësues të këtij organi të lartë”.

Servet Pëllumbi:- “Ajo është në thelb një kërkesë e drejtë dhe sado përmirësime që të bëjmë ne, përsëri ajo kërkesë prapë do të ketë vend të thuhet, për këtë sallë që përmendni ju ke plotësisht të drejtë, qoftë edhe një sistem ngrohje”.

Në lidhje me komisionin hetimor, u vendos që ai të përbëhet nga 11 anëtarë, 6 nga pozita dhe 5 opozita. Afati i komisionit u vendos 45 ditë, por pati debate për kryesimin. Koalicioni qeverisës për integrim, pretendon se ka paraqitur kërkesën, për ngritjen e komisionit hetimor përpara opozitës.

Gramoz Ruçi:- “Ky propozim ka qenë pikërisht nga kryetari i grupit parlamentar, zoti Apostoli, i mbështetur nga aleatët e Aleancës për Integrim. Në përputhje me ligjin, ky komision hetimor u institucionalizua dhe iu paraqit kryetarit të Kuvendit, kështu që s’kemi pse të vemi në situatat e kësaj natyre që i ka kërkuar Nano për Nanon”.

Bamir Topi:- “Nëse nuk ka vullnet nga mazhoranca, unë do t’i propozojë zotit Ruçi që kryetar të komisionit hetimor, le të vendos të propozojë zotin Nano, se nuk ka asnjë shans tjetër”.

Kjo çështje u la të zgjidhet në seancën plenare të së enjtes, ndërkohë që Nard Ndoka nga demokratët e reformuar, u shpreh kundër ngritjes së këtij komisioni hetimor. Nisur nga përvoja hetuese e komisioneve të mëparshme, të cilat nuk sollën risi, por vetëm nga dy raporte pranë Kuvendit./tvklan.al

Gazetare – Arta Tozaj