Një çamçakëz që përgjum fëmijët, ishte lajmi më i bujshëm i fundjavës në vend. Gazetari Merin Maçi foli mbrëmjen e sotme në studion e “Opinion” sa i takon kësaj pilule në ngjyrë jeshile, që në fakt nuk rezulton të jetë çamçakëz. Sipas tij, “alarmin” e ka dhënë fillimisht një prind i një djali rreth 10 vjeç në periferi të Tiranës.
“Kjo është pilula pasi është gjetur në një shkollë 9 vjeçare në periferi të Tiranës. Ka nisur të Enjten e shkuar, kur njëri nga prindërit e një nxënësi në klasën e katërt, pra rreth 10 vjeç, ka konstatuar në xhepin e pantallonave të fëmijës pikërisht këtë pilulë. Menjëherë ka kontaktuar stafin pedagogjik të shkollës “Yzberisht”, ndonëse lajmi për këtë pilulë u bë të premten pasdite në media, verifikimet e policisë kanë nisur që në orët e para të mëngjesit për shkak të një mesazhi që thuhej se ka kaluar në chat-grupet e prindërve që kanë një fëmijë në shkollat e mesme apo 9-vjeçare. Nxënësi është pyetur në prani të psikologut dhe ka deklaruar se kjo pilulë i është dhënë nga një shok i shkollës që ishte rreth dy vite më i madh. Edhe ky i fundit është marrë në pyetje, ka deklaruar se ia ka dhënë një djalë në zonën ku banon në formën e çamçakëzit. Nuk është tabletë xhelatinoze që lejon mundësinë të konsumohet si i tillë.”
Maçi theksoi se për rastin është kryer një verifikim në 243 institucione. Ai shtoi se do të jetë Institutiti i Shëndetit Publik (ISHP) ai që do përcaktojë përfundimisht përmbajtjen e pilulës. Megjithatë deri më tani përjashtohet mundësia për përmbajtje të lëndës narkotike.
“ISHP-ja do përcaktojë përbërjen e saj, është e sigurt që nuk ka përbërje të lëndës narkotike, por medikamente. Dyshohet se mund të përdoret edhe nga mosha e tretë për qetësim.”
Kujtojmë se Policia në njoftimin e mëhershëm zyrtar tha se pilula përmban Vitaminë E.
/tvklan.al