“Ndërtues e zyrtarë do të përballen me drejtësinë”
Vizitën e parë si Prokuror i Përgjithshëm, një ditë pas marrjes së detyrës, Olsian Çela e zhvilloi në Durrës, qytet që është dëmtuar rëndë nga tërmeti i 26 Nëntorit.
Ai zhvilloi një takim me prokurorët që po kryejnë hetimet për dëmet që shkaktuan lëkundjet e tokës, që lanë pas 51 viktima.
Pas mbledhjes, kryeprokurori tha se nga hetimet e deritanishme rezulton se individë të ndryshëm kanë shkelur ligjin me vetëdije dhe do të mbajnë përgjegjësi për jetët e humbura.
“Ne të gjithë jemi koshientë çfarë ka ndodhur. Individë të papërgjegjshëm, duke kryer veprime te caktuara, me koshiencë të plotë kanë shkelur ligjin dhe si pasojë kanë vdekur shumë persona. Zbatimi i ligjit duhet të jetë korrekt dhe i prerë dhe do të kemi rezultate të qarta për hetimin.”
Por a do të ketë arrestime për jetët e humbura? Kryeprokurori paralajmëron se përgjegjësisë nuk do t’i shmangen ndërtues e zyrtarë.
“Ka njerëz të cilët kanë shkelur ligjin, ka njerëz të cilët kanë humbur jetën, që janë plagosur, përgjegjësia do të jetë maksimale për këdo që do të mblidhen prova nga prokurorët se janë kryer vepra penale nuk do të ketë hezitim për asnjë rast. Përgjegjësia do të shkojë atje ku është, te ndërtuesit e zyrtarët kudo që provohet se ka elementë të përgjegjësisë penale nuk do të ketë hezitim për asnjë rast”.
Kryeprokurori vlerësoi Prokurorinë e Durrësit për hetimet e deritanishme dhe mohoi zërat për prishje të provave gjatë shembjes së banesave të dëmtuara.
“Hetimi është përqendruar në objektin e hetimit, nuk kemi shqetësime, të jemi te qetë e të besojmë të heqim dorë nga lajmet që janë shpesh edhe të pavërteta, nuk kam të dhëna që po ndodhin fakte të tillë për zhdukje apo prishje provash”.
Çela tha po ashtu se nga hetimet rezulton se ligji për ndërtimet në fuqi ka mangësi. Ndërsa drejtuesja e prokurorisë së Durrësit Anita Jella, deklaroi se ka kërkuar asistencë teknike nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë me ekspertë dhe inxhinierë për veprimet hetimore.
Pas Durrësit, kryeprokurori Olsian Çela zhvilloi një tjetër takim në Prokurorinë e Krujës, e cila gjithashtu po heton pasojat tragjike që shkaktoi tërmeti në Thumanë dhe dëmet e tjera në banesa në këtë rrethin e Krujës. Hetimet po kryhen për ndërtim të pa ligjshëm dhe shpërdorim detyre.
Tv Klan