Në datën 11 janar, platforma e regjistrimit të votuesve nga jashtë pritet të jetë funksionale. Kryekomisioneri Celibashi deklaroi në nënkomisionin e Kuvendit për Diasporën se fillimisht do të ketë një demonstrimi të sistemit elektronik për të verifikuar zbatueshmërinë.

“Besoj që para Krishtlindjeve do të kemi një demonstrim të funksionaliteteve të këtij sistemi me qëllim që në datën 11 janar kjo platformë të jetë funksionale dhe ashtu sikurse e ka parashikuar Kodi Zgjedhor të fillojë procesi i regjistrimit të votuesve nga jashtë”.

Komisioni Rregullator pranë KQZ ka miratuar thuajse të gjitha aktet kryesore me qëllim realizmin e votimit nga jashtë. Celibashi theksoi se është miratuar edhe udhëzimi i ri i përbashkët ndërmjet Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe Ministrit të Brendshëm që ka të bëjë me shkëmbimin e informacionit dhe përgatitjen e listës së zgjedhësve për votuesit nga jashtë.

Celibashi deklaroi para deputetëve se deri tani nuk janë evidentuar probleme mbi procesin për garantimin e votës së diasporës.

Klan News