Programi “Historia ime”, në Tv Klan solli ditën e sotme historinë e veçantë dhe dashurinë e madhe të Jonidës për kafshët. Ajo për 25 vite ka jetuar në Amerikë dhe aty punonte si interior designer.
Së bashku me bashkëshortin vendosën që të bënin disa muaj pushime në Shqipëri. Kur erdhi këtu ra në kontakt përmes Facebook, me persona që kujdesen për kafshët dhe këtu lindi dhe dashuria e saj për qentë.
Ajo rrëfeu se fillimisht adoptoi vetëm një qen dhe më pas numri arriti deri në 27. Fillimisht iu duk si një çmenduri, por shprehet se kjo gjë i ka ndryshuar totalisht jetën.
Jonida: Kur erdha këtu në kontakt me Facebook-un u lidha me “Animalistët” e Shqipërisë, që janë të mrekullueshëm dhe unë i dua shumë. Faleminderit për gjithçka që bëjnë sepse e di sa e vështirë është për ta. Dhe duke u ndjerë pak me botën dhe dhimbjen e tyre, doja të merrja pjesë, doja të merrja pak nga barra e tyre, duke adoptuar edhe unë disa qenushë. Adoptova të parin, ishte një qen shumë i madh në fakt, mendova që, apartamenti im nuk do e mbajë atë, është shumë i madh. Pastaj m’u duk shumë pak, adoptova të dytin, pastaj adoptova një nënë me 10 këlysha, pastaj adoptova 6 këlysha të tjerë, që ishin në rrugë, që do të ishin pa shpëtim nëse unë nuk do t’i merrja në shtëpi. Pastaj 4 të tjerë, derisa u bënë 27.
Gazetarja: Pra ke mbajtur në shtëpi 27 qenusha?
Jonida: Po ishte një moment 3- javor, që ishin 27 qenusha.
Gazetarja: Po si mundet?
Jonida: Në fillim ishte e pamundur dhe si është ajo shprehja, që zemra ka arsye, që vetë arsyeja nuk e kupton. Në fakt edhe bashkëshorti, edhe mami më thoshin çfarë bën? Unë i bëja fakt, ikja i merrja, i sillja në shtëpi dhe nuk mendoja që kjo do më marrë hapësirën time, do më marrë hapësirën e bashkëshortit, do më marrë kohën. Ne kafshëdashësit jemi kthyer në skllevër të qenushëve, por në kuptimin e mirë të fjalës, se në kthim kemi një dashur pa fund.
Gazetarja: Si ia dilje të kujdeseshe për 27 qenusha?
Jonida: Në një moment kisha 16 të vegjël, fillova t’i ushqeja vetë me formulën e qenushëve. Ishte një çmenduri, nuk isha vetja sepse dola komplet jashtë vetes, isha nervoze, shumë herë qaja, shumë herë përplasja kokën mbas murit sepse mendova: O Zot si mund ta bëj unë këtë gabim, por faktikisht ishte gabimi më i bukur i jetës time. Unë jam 50 vjeç, por rritjen që kam bërë këto 6 muaj, nuk ma ka bërë asnjë lloj pune, asnjë lloj Universiteti, as një lloj marrëdhënie tjetër, përveç atyre me qenushët. Përveç marrëdhënies time të parë me bashkëshortin, me familjen, por është një marrëdhënie që është vetëm ëngjëllore./tvklan.al