Dega e Partisë Demokratike të Durrësit ka akuzuar kryetarin e bashkisë së qytetit, Vangjush Dakon, se ka kërcënuar punonjësit e bashkisë me largimin nga puna nëse nuk do të merrnin pjesë në mitingun e sotëm të Partisë Socialiste dhe atë të datës 20 Nëntor.
Dejana Burgija: “Ky kërcënim i hapur i zotit Dako, tregon që ai nuk është kryetar i bashkisë, por një instrument në duar të zotit Rama dhe politikës së tij në dëm të qytetarëve. Me këtë rast i bëjmë thirrje zotit Dako të kujtohet që është votuar për t’i shërbyer qytetarëve të Durrësit dhe jo të instrumentalizoj institucionin e bashkisë Durrës për të justifikuar humbjen e tij dhe të zotit Rama me 28 Qershor”.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryebashkiakut i cili tha se mitingu i PS-së nuk ka qëllim politik dhe mohoi akuzat për presion ndaj administratës.
Vangjush Dako: “Është e vërtetë që kemi njoftuar gjithë punonjësit tanë që sot të dalin në protestë, të protestojnë për vendet e tyre të punës, të protestojnë për shërbimet që do ti ofrojnë qytetarëve në vitin 2010. Kjo nuk është një protestë politike, është një protestë nga vendime nga të cilat qeveria ka marrë 30-40% të të ardhurave tona të reduktohen. Do të thotë që 30-40% të vendeve të punës të shkurtohen. Pra të dalësh sot në protestë do të thotë të protestosh për fëmijët, për familjet, për vendin e punës”.
Por për kryetaren e degës së PD-së, Dejana Burgija, presionet e kryebashkiakut janë pranuar nga vetë punonjësit e administratës./tvklan.al