Zyra e Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, me rastin e 28 Janarit, Ditës Ndërkombëtare të Mbrojtjes së të Dhënave Personale, organizoi një aktivitet ndërgjegjësues mbi rëndësinë e respektimit të privatësisë, ruajtjes dhe mbrojtjes së të dhënave personale.
Aktiviteti u zhvillua në gjimnazin “Sami Frashëri” në kryeqytet dhe mblodhi bashkë drejtues të shkollave të arsimit të mesëm të lartë, mësues, nxënës dhe prindër.
Në fjalën e tij, Komisioneri Dervishi, vuri në dukje rëndësinë e ndërgjegjësimit të të rinjve për sigurinë e të dhënave personale, si edhe qasjen e ruajtjen e këtyre të dhënave edhe përballë ekspozimit që mund të sjellë teknologjia.
Duke risjellë në vëmendjen se ky vit është vit zgjedhor, Komisioneri u bëri apel të rinjve të cilët do të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar të tregohen të kujdesshëm më të dhënat e tyre personale.
I ftuar në këtë aktivitet ishte dhe Zëvendës Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës (KiE) Olsi Dekovi, i cili theksoi se të dhënat personale, përfshirë dhe në hapësirën online, janë pasuri që duhen trajtuar me shumë kujdes sidomos nga të rinjtë.
Në lidhje me mbrojtjen e tyre kërkohet edukim i vazhdueshëm dhe adresim në kohë i çdo cënimi të mundshëm.
Me moderimin e drejtores për mbrojtjen e të dhënave personale Pjerina Mema, nxënës, prindër dhe mësues trajtuan problematikat e hasura, duke diskutuar mbi raste dhe shembuj konkretë nga jeta e përditshme. Pjesa e diskutimeve ishin rastet e cënimit të privatësisë online, bulizmi kibernetik, mesazhet keqdashëse në telefon, përdorimi pa leje i fotografive apo të dhënave të tjera personale, si edhe problematika të tjera që kanë të bëjnë me nevojën për mirëinformim dhe rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave personale.
Në fund të këtij aktiviteti pjesëmarrësit plotësuan edhe pyetësorin e përgatitur nga Zyra e Komisionerit rreth njohurive për të mbrojtjen e të dhënave personale.
Më 28 Janar 1981 Këshilli i Evropës (KiE) miratoi Konventën “Për mbrojtjen e individëve në lidhje me përpunimin automatik të të dhënave personale” (e njohur si Konventa 108). Më 26 Prill 2006, Këshilli i Evropës vendosi të prezantojë një Ditë për Mbrojtjen e të Dhënave, e cila do të shënohej më 28 Janar, në ditën e miratimit të “Konventës 108” nga KiE.