Qeveria shqiptare është e gatshme të lidhë brenda një viti sistemin hekurudhor të korridorit të 8. Drejtoria e hekurudhave ka gati projektin për linjën ndërkombëtare hekurudhore Shqipëri-Maqedoni-Bullgari.
Konfirmimi vjen nga drejtori i përgjithshëm i hekurudhave shqiptare Zamir Ramadani. Ai thotë se me një buxhet prej 6 milion eurosh do të shtrihet linja hekurudhore 2.8 km e gjatë nga fshati Lin i Pogradecit deri në kufirin maqedonas.
Zaim Ramadani: “Është një zgjidhje jashtëzakonisht e mirë përsa i përket lidhjeve të korridoreve të hekurudhës me shtetet tjera. Kuptohet që një hekurudhë e mbyllur në tërësinë e territorit të vet nuk ka produktivitetin e madh se sa hekurudhat që lidhen me korridoret e sistemit Europian dhe sistemit Ballkanik jemi ne. Do të jetë një frymëmarrje jashtëzakonisht e madhe, do të jetë një punë jashtëzakonisht e madhe të çeljes së hekurudhës shqiptare ashtu edhe portit. Sepse do të bëhet një lidhje shumë e shkurtër midis shteteve, pra nëpërmjet portit Durrësit, nëpërmjet hekurudhës Maqedonisë dhe Bullgarisë.”
Ndërtimi i kësaj linje hekurudhore do ti jepte një zhvillim të madh gjithë rajonit dhe do të hapte rrugët edhe në drejtim të lindjes. Aktualisht Shqipëria ka vetëm një linjë ndërkombëtare hekurudhore atë të Malit të Zi.
Çështja e ndërtimit të hekurudhës mes Shqipërisë dhe Maqedonisë u rikthye pas takimit mes presidentit shqiptar Topi dhe atij maqedonas Cervenkovksi./tvklan.al