#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.

#Suada#roland #edielashqiptare # tvklan #arditgjebrea #eltonpeci #doktor #humbje #aksident #mirenjohje

“Fëmija vdiq në bark në muajin e nëntë”, ëndrra e thyer e çiftit: Mjekët na i shuan shpresat

Rrëfimi i Rolandit dhe Edmirës në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E  Diela Shqiptare” në Tv Klan nis me lindjen e djalit  të tyre të madh, Arifit më 29 nëntor 2002. Rolandi thotë se i kishin të gjitha të mirat, ai dhe Suada siç e quan ai gruan e tij, punonin dhe gjithçka shkonte shumë mirë. Kur Arifi u rrit pak, nisi t’u kërkonte një vëlla ose një motër dhe aty nisi tragjedia e parë.

Roland: Gjithmonë thoshte “ma bëni një vëlla ose një motër se sa mirë ai ka vëlla, ai ka motër”, por të them të drejtën, ku s’kemi qenë nëpër doktorë  për të pasur një  fëmijë tjetër… 16 korrik 2007, gjatë lindjes në muajin e nëntë, Suada shkoi për të lindur…

Ardit Gjebrea: Ah, mbeti shtatzënë?

Roland: Mbeti shtatzënë.

Ardit Gjebrea: Dhe çfarë ndodhi në muajin e nëntë?

Roland: Vdiq në bark. E përjetuam keq, por prapë unë gjithmonë i thosha Suadës, në dashtë se kemi Arifin, me një sy themi ne njeriu sheh gjithë botën, kemi Arifin, më vonë… por edhe gjendja e Suadës aty u bë shumë e keqe. Deri diku te 8-9 vjet mbrapa, Suada s’ka qenë mirë hiç.

Ardit Gjebrea: Dhe ajo kishte shpeshherë momente shumë të vështira shëndetësore.

Roland: Pas dy vjetëve mbrapa, Suadës i ra paralizë  krejt në krahun e djathtë. Kemi përfuduar në azil prej hallit sepse donim të gjenim derman, Suada u bë keq, unë e laja, unë e shpëlaja, unë e ndërroja, kjo s’ishte e zonja për asgjë. Por s’e lamë pas dore edhe bebin. Shkuam diku afër Amsterdamit  për të bërë vizitën e bebit. Doktorët atje thanë “është bërë një masakër kur ka lindur”, djalin e dytë e quajtëm Kujtim  që të rrijë kujtim për tërë jetën. Kur lindi Kujtimi, kishin bërë masakër ata që e kanë nxjerrë dhe thanë “s’ka shans që ju të keni më fëmijë”.

Tragjedia që ndodhi në 7 minuta: Bashkë me djalin, vdiqëm edhe ne

Jeta e lumtur e Rolandit dhe Suadës u shenjua nga tragjedia e parë në jetën e tyre. Në rubrikën “Ka Një Mesazh Për Ty” në Tv Klan, ata rrëfyen sesi pas lindjes së Arifit, dëshironin të bëheshin sërish prindër. Mrekullia ndodhi, por në muajin e nëntë fëmija ndërroi jetë në bark duke marrë me vete edhe shpresat.

Megjithatë, kishin Arifin që u rrit dhe u kthye në djalin që kishin ëndërruar. Ai arriti të shkëlqente në mësime, të merrte diploma dhe ishte drita e vetme e syve të tyre. Një ditë krejt të zakonshme, djali doli nga shtëpia për të takuar shokët, përshëndeti prindërit si zakonisht pa e ditur se nuk do të kthehej më kurrë.

Gjithçka ndodhi në vetëm 7 minuta. Siç tregon Rolandi, i kishte dërguar një mesazh në 10:02 që i biri ia kishte kthyer. Në 10:09, nisi të ndihej keq, sikur i mbahej fryma dhe e mbuluan djersë të ftohta. Mendja i shkoi te djali dhe e telefonoi fshehtas, por në vend që zilja të ndërpritej nga zëri i Arifit, dikush i dha lajmin e kobshëm.

Roland: I bie telefonit të Arifit pa zë, që mos ta dëgjonte Suada dhe i kam rënë nja 10 herë, 12 herë.  Zilja shkonte, kush nuk e kapte.

Ardit Gjebrea: Po Suada vetë?

Roland: Suada…unë nuk isha duke folur me Suadën, Suada ishte aty duke parë televizor dhe kur i hedh sytë te Suada unë, Suadës i kishte shkuar goja nga këtu e te veshi. Duke ia fërkuar avash-avash me një dorë, me dorën tjetër i bija prapë telefonit të Arifit. Dikur, ma hapi dikush. Ai më pyeti mua, më tha “kush je ti?” I thashë unë jam babai i të zotit të telefonit. Hajde në Shkodër se të ka bërë djali aksident”, tha. Me thënë të drejtën, bota m’u përmbys, por nuk e mendova më të keqen, thashë do  ketë thyer ndonjë dorë, ndonjë këmbë, nuk më shkoi mendja atje. Atë aksident e paska nxjerrë televizori vetë, shokët e mi në Shkodër e kishin parë dhe ishin të tërë atje te spitali. E marr njërin prej tyre, i them ka bërë Arifi aksident. “Po shkoj unë tani e të marr për 10 minuta, po ti hajde avash-avash” thotë. Ai ishte aty. Ikim për Shkodër, por s’mbaronte kurrë rruga, nuk e di sesa shpejt kam qenë. Suada më kishte kapur dorën e më thoshte “po hë”, s’ecte më makina. Kur shkuam te spitali,  donin të na drejtonin fill te morgu. Suada u këput, i ra të fikët. Çfarë kishim ndërtuar, u shemb. Tani s’kishim më asgjë. Aty kuptuam që ne kemi vdekur me Arifin të tre. Duhej të merresha me Suadën, Suada kapte veten për flokësh, “jeta jonë mbaroi, futmëni në arkivol me Arifin”…u bëra burrë i fortë me zor. E morëm Arifin, e çuam në shtëpi. Shëngjini pa përjashtim, ishte në shtëpinë time, të gjithë.

Ardit Gjebrea: Po çfarë kishte ndodhur?

Roland: Arifi kishte bërë aksident dhe kishte ndërruar jetë fill në makinë.

Ardit Gjebrea: Ishte në makinë me të tjerë?

Roland: Ishte me një shok të vetin.

Ardit Gjebrea: Sa vjeç ishte?

Roland: Arifi ka qenë 19 vjeç e 3 muaj, pa 3 ditë. Ajo natë ka qenë… faktikisht babai duhet të rrijë te burrat e të presë njerëz, por unë nuk mundesha, unë kam ndenjur me Arifin aty, vetëm se s’më lanë të futesha në arkivol me Arifin. Deri para 9 muajve ne kishim lutjet e Zotit, Zot, na merr na ço te fëmijët atje se kjo botë ishte pa vlerë, çfarë donim ne këtu?

Ëndrra që solli mrekullinë/ Fëmija vjen në jetë në të njëjtën ditë me vëllanë, por në orën e tij të vdekjes

Një fëmijë i vdekur në barkun e nënës në ditën kur ishte caktuar për të lindur. Një djalë që humbi jetën tragjikisht në aksident në moshën 19-vjeçare. Përpjekje të pafundme e stërmunduese për të pasur një fëmijë që gjithnjë ua kthenin shpresat në hi.

Jeta e Rolandit dhe Suadës u shenjua nga dhimbje kaq të thella sa lutja e vetme ishte të bashkoheshin në botën tjetër me fëmijët e tyre. Historia që çifti ndau në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan duket si një film i jashtëzakonshëm, por gjithçka ka qenë një realitet i hidhur.

Pas humbjes së Arifit në moshën 19-vjeçare, të afërmit u thoshin të mos i humbnin shpresat se një ditë do të bëheshin sërish me fëmijë. Rolandi tregon se nipi i tij i vetëm nisi të këmbëngulte që të shkonin në Tiranë dhe të bënin një vizitë. Fillimisht çifti nuk donte, por një ëndërr e mbushur me dritë hyjnore, ndezi një thëngjill shprese.

Roland: Kam një kushërirë, vajzë tezeje që jeton në Gjermani. Ajo faktikisht na rrinte afër me telefonata. “Kam parë një ëndërr”, tha. “E pashë dritën që po vinte prej qiellit, një dritë e rrumbullakët që u bë tub, erdhi te këmbët e mia, la një beb dhe unë prapë e pashë dritën që u kthye”. Bënte be për kokë të fëmijëve, “Land, nuk dua të të jap kurajë, por e kam parë. U kthye drita dhe bebin ma la te këmbët. E mora bebin, e pashë dhe i lutesha Zotit që të ishte i Suadës”. Ne s’ishim gati kurrkund për beb, por kjo sikur…

Rolandi dhe Suada bënë siç u tha nipi, shkuan në Tiranë dhe takuan një mjek që s’e njihnin, dr. Elton Peçin. Në 21 vite, ata s’kishin ndier kurrë shpresë e mirëkuptim si në atë moment. Pasi u shpjegoi gjendjen e Suadës dhe mjekimin që duhet të ndiqnin, një ditë erdhi lajmi që ndryshoi gjithçka.

Roland: Erdhi shtatzënia më në fund! Dielli sikur filloi të na nxehte prapë. Tani nuk ishin më lutjet o Zot na merr e na ço atje, por o Zot të kujdesemi për të. Pastaj i them Suadës ti s’ke për të bërë asnjë punë, as të çohesh, unë do t’i laj teshat, unë do t’i laj enët, unë do të bëj për të ngrënë, unë do t’i bëj të tëra, ti veç ri rehat. Deshi i madhi Zot që data e bebit të ishte e njëjta datë me të Arifit që ka lindur. 29 me 29. Kur vinte data 29 ne mendonim që Arifi do të rritej edhe një muaj më shumë. Kur vinte 29 nëntori, kishte për t’u rritur edhe një vit më shumë. S’kishte më keq për ne. Blemë tortën se ka ardhur Aroni më 29, u bë një muaj, u bënë dy muaj, u bënë tre muaj. Më e bukura është që Arifi ka ndërruar jetë në orën 10:10, kurse Aroni ka lindur në 10:10.

Mirënjohja e përjetshme ndaj njeriut që fashiti 21 vite vuajtjesh/ “Mrekullia”vjen në studio

Pikërisht kur mendonin se jeta për ta nuk kishte më kuptim, Rolandi dhe Suada morën mesazhin më të bukur në formën e një mrekullie. Rrëfimi i tyre prekës në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan tregoi lindjen e Arifit, humbjen e fëmijës së dytë pikërisht në ditën kur duhej të vinte në jetë, gjendjen e vështirë shëndetësore të Suadës dhe aksidentin tragjik që mori me  vete gëzimin e tyre të parë.

Kalvarit të gjatë të vuajtjeve do t’u vinte fundi me një ëndërr shpresëdhënëse e me takimin në dhomën e një spitali që u ktheu dëshirën për të vazhduar përpara. Dr. Elton Peçi u qëndroi pranë për gjithçka derisa një ditë lutjet dhe përpjekjet u shpërblyen me ardhjen e Aronit të vogël.

Pas 21 viteve, në zemrat e këtyre dy prindërve dhimbja ka gjetur prehje falë djalit dhe falë njeriut që ata kanë thirrur për ta falenderuar me mirënjohje.

Suada: Doktor, të përshëndes pa masë! Ti ke qenë një gjinekolog shumë i mirë, por për mua edhe një psikolog shumë i mirë se gjithmonë më jepje shpresa, thoshe do t’ia dalim dhe faleminderit Zotit që unë sot Aronin nga Zoti dhe nga ti e kam.

Dr. Eltoni: Faleminderit!

Ardit Gjebrea: Më lejo të të them vetëm një detaj, që deri tani Suadës nuk  ia kemi dëgjuar zërin fare sepse gjatë gjithë kohës ka folur Landi. Sa erdhe ti, i erdhi zëri.

Roland: Atë punë që bëre ti, 21 vjet nuk e bëri kurrkush. Atëherë që ne shpresat i kishim 0, ti i ktheve në anën tjetër, nuk u mërzite kurrë me ne dhe të falenderoj pa masë për kujdesin që ke bërë për ne edhe gjatë shtatzënisë, duke na marrë në telefon me mjekimin, je yll! Faleminderit shumë, shumë, shumë!

Suada: Të falenderoj pa masë!                                          

Në studio bashkohet edhe Aroni, bekimi i Rolandit dhe Suadës.

/tvklan.al