Dosier-Në Prill të vitit 1993, Papa Gjon Pali II vizitoi Shqipërinë. Ai ishte i pari Papë që vinte në Shqipëri pas dy tentativave të dështuara. Emisioni “Opinion” i datës 07.04.2005, i gazetarit Blendi Fevziu, i është kushtuar pikërisht atij njeriu të madh që nuk u mbyll brenda dyerve të studios së tij, por bëri 140 udhëtime në të gjithë botën.

Papa Gjon Pali II pati edhe një histori shumë të lidhur me Shqipërinë, ai ishte i pari Papë që vizitoi vendin tonë, i pari Papë që emëroi një kardinal shqiptar, Mikel Koliqin dhe ishte po ashtu ai që shenjtëroi Nënë Terezën. Nisur nga këto tre veprime mund të themi se raportet e tij me Shqipërinë kanë qenë speciale.

Më 16 Tetor 1978, pas 7 votimesh, kardinali Karol Vojtila arriti të bëhej Papa Gjon Pali II. Ai arriti të bëhej i pari Papë jo italian pas 455 vjetësh, që nga koha e Adrianit të VI, i cili kishte prejardhje holandeze.

Nisur në aspektin personal, ai pati një tragjedi të hershme. Ishte vetëm 9 vjeç kur nëna e tij u nda nga jeta si pasojë e një ataku në zemër. Pak vite më vonë, kur ishte vetëm 12 vjeç, edhe vëllai i tij i madh humbi jetën si pasojë e etheve. Pak kohë më vonë, Papa Gjon Pali II humb edhe të atin dhe mbetet krejtësisht i vetëm në vigjilje të Luftës së Dytë Botërore.

Ai u zhvendos në Krakovë, ku u bë edhe Arkipeshk dhe kaloi aty disa vite. Poezia dhe teatri ishin dy pasionet e tij të mëdha, të cilat mbetën pas dhe në fund të Luftës së Dytë Botërore, ai dorëzohet prift në seminarin e Krakovit. Në këtë moment Papa Gjon Pali II fillon rrugëtimin e tij profesional në kuadrin e Kishës Katolike Polake. Këto vite ishin më të rëndësishme, pasi regjimi komunist u instalua dhe ishte “armiku” më i madh i fesë.

Ai u bë një nga figurat më të rëndësishme të fesë në Poloni dhe në vitin 1968 Papa kishte filluar të fliste hapur publikisht kundër regjimit komunist. Pas zgjedhjes së tij në krye të Vatikanit, ai la dukshëm të kuptohej se do të angazhohej për përmbysjen e regjimeve komuniste të Europës Lindore, duke e filluar këtë që nga vendlindja e tij, Polonia.

Vetëm 8 muaj pas ardhjes në krye të Vatikanit, ai shkon për një vizitë zyrtare në Poloni ku kishin filluar të zienin ndjenjat antikomuniste. Gjatë vizitës së tij, Papa ndezi një shkëndijë, shpërthimi i së cilës ndodhi më vonë. Lajmërimi i ngritjes së çmimeve solli një protestë. Bashkimi Sovjetik e kishte kuptuar se për ta do të krijoheshin probleme.

KKB duket se ishte hedhur në veprim që në vitin 1978 dhe në bashkëpunim me shërbimet sekrete bullgare dhe ato të Gjermanisë ngrenë idenë e një atentati ndaj Papës, një atentat që do të ndodhte në Maj të vitit 1981, kur një terrorist turk 28-vjeçar i quajtur Ali Akça, i kërkuar në vendlindjen e tij për vrasjen e kryeredaktorit të një gazete liberale turke, qëllon mbi Papa Gjon Palin II në sheshin e Shën Pjetrit. Ai kapet në moment nga besimtarët që ndodheshin aty.

Atentati bëri bujë në të gjithë botën dhe më vonë u zbulua se Ali Akça ishte ndihmuar nga shërbimet sekrete bullgare për të kaluar 8 shtete dhe për të mbërritur në Romë. Diskretitimi i shërbimeve sekrete të Europës Lindore nxiti mjaft urrejtje në popull ndaj regjimeve të tyre. Në Poloni situata doli krejtësisht jashtë kontrollit dhe u bë çelësi i transformimeve në të gjithë Europën Lindore.

Aspekti politik ishte vetëm një nga dimensionet e Papa Gjon Palit II, një dimension tjetër i tij ishte të qenit reformator i madh brenda Kishës. Ai ishte ndër personazhet e parë që guxoi të hidhte hapa mjaft të rëndësishëm, sidomos për përmirësimin e raporteve me disa prej besimeve të tjera fetare. Papa Gjon Palit II ishte i pari që në vitin 1982 shkeli në sinagogun e Romës, një vizitë historike që do të përmirësonte marrëdhëniet mes Vatikanit dhe hebrejve.

Në vitin 2000 ai shkoi në Murin e Lotëve dhe vendosi aty një letër ku u kërkonte falje hebrenjve për politikat e Vatikanit gjatë Luftës së Dytë Botërore, që nuk i mbrojti ata nga shfarosja naziste. Në 2001 ai u bë i pari Papë që hyri në xhami. Ai vizitoi xhaminë e Damaskut.

Në Tetor të vitit 1980, Papa Gjon Pali II erdhi në Shqipëri. Duke marrë shkas nga dënimi me vdekje i dy priftërinjve në Shkodër, të cilët kishin pagëzuar në fshehtësi një fëmijë, Papa Gjon Pali II iu drejtua me një deklaratë të ashpër regjimit komunist, duke provokuar reagimin e Tiranës zyrtare, ku “Zëri i Popullit” e shpalli një nga armiqtë kryesorë.

Në vitin 1990, Vatikani ishte i pari që tentoi të rivendoste marrëdhëniet me opozitën shqiptare. Në Prill të vitit 1993, Papa Gjon Pali II vizitoi vendin tonë dhe bëri edhe një deklaratë, që i dha fund debateve dhe komenteve për nënshtetësinë e Nënë Terezës, duke iu drejtuar asaj me fjalët: “

Ti ndodhesh sot në vendin tënd… Të gjithë e dinë nga vjen dhe cili është atdheu i saj. Atdheu i saj është këtu”.

Papa Gjon Pali II ndërroi jetë më 2 Prill të vitit 2005 në Vatikan, pas 27 vitesh në krye të Kishës./ tvklan.al