“Njerëz të humbur” ka përcjellë emocionet e para në startin e tij në Televizionin Klan. E premtja është pushtuar për 5 orë me radhë nga histori njerëzore, kërkimet e njerëzve që kanë humbur kontaktet me të afërmit e tyre prej vitesh, lidhjet direkte nga e gjithë bota me korrespondent të emisionit, por edhe njerëz që tek emisioni i drejtuar nga Aida Shtino, shohin shpresën për t’u takuar pas shumë e shumë vitesh të afërmit e tyre të humbur apo për të rënë në gjurmët e tyre.
Gazetari: “Mirëmbrëma Aida, përshëndetje nga Stambolli!”
Aida Shtino: “Mirëmbrëma Jakup, përshëndetje nga Tirana!”
Gazetari: “Përshëndetje nga Austria!”
Lidhjet me rrethet nga studiot e TV Klan, apo edhe telefonatat nga e gjithë vendi i kanë dhënë një tjetër dinamikë emisionit social më të ndjekur në Shqipëri. Për më shumë se 5 orë “Njerëz të humbur” ka mbërthyer para ekranit të Televizionit Kombëtar Klan miliona shikues jo vetëm në Shqipëri por në mbarë globin, madje dhe në SHBA, ku TV Klan ka arritur të shtri sinjalin e transmetimeve të tij.
Emocionet, ankthi dhe të papriturat e kanë dominuar këtë takim të parë të emisionit, përgjatë tij mjaft informacione të reja kanë mbërritur në studio për mbi 24 rastet e paraqitura, shumë prej tyre të pa programuara.
Aida Shtino: “Ka ardhur një rast urgjent, një vajzë 15-vjeçare e quajtur Dorina Kulla ka humbur nga qyteti i Pogradecit.”
Investigimi i gazetarëve dhe drejtueses Aida Shtino, kanë rikthyer shpresën e familjes Vlashi për gjetjen e djalit të tyre rrëmbyer 10 vjet më parë në Fushë-Krujë. Edhe rasti i Brunilda Allës ka mbajtur në ankth publikun. Telefonata e bërë në studio gjatë transmetimit direkt ka ndezur besimin e të ëmës se pas receptorit është Brunilda.
Informacione të shumta janë dhënë dhe për rastin e Altin Zekës, i cili ka humbur kontaktet që në vitin 1998. Edhe pas mbylljes së transmetimit maratonë prej 5 orësh, telefonatat dhe informacionet në ndihmë të gjetjes së personave të humbur kanë qenë të shumta. Duke bërë që gazetarët e emisionit “Njerëz të humbur” të vazhdojnë misionin e tyre për të gjetur dhe rikthyer pranë familjes sa më shumë persona./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami