Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka liruar nga qelia Erzen Breçanin, i cili u arrestua në kuadër të operacionit “Metamorfoza”.

Apeli ka ndryshuar masën e sigurisë për Breçanin, duke caktuar “arrest në shtëpi”.

Ish-drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit u arrestua në vitin 2023 pas një operacioni të SPAK me dyshimet se ka investuar para të cilat janë krijuar nga aktiviteti i paligjshëm i trafikut të drogës kryer nga djali i tij, Eralb Breçani, si dhe ka përkrahur autor krimesh duke dhënë informacione.

Erzen Breçani i pati mohuar akuzat duke thënë se nuk kishte shkelur ligjin dhe se ishte në qeli prej djalit.

Për këtë operacion, SPAK lëshoi 11 urdhër-arreste për Besmir Murati, Bujar Ajeti alias Gërmizi, shefin e Krimeve në Komisariatin nr. 6 në Tiranë, Dedan Gjoni, ish-zv/drejtorin e Rendit në Policinë e Tiranës, Erzen Breçani, djalin e tij, Eralbi Breçani, Jonida Babameton, oficeren e Drejtorisë së Kufirit, Artan Sulejmanin, Albert Prengën, Bajram Grabova, Ismail Zeneli, Ervin Matën.

Gjatë aksionit u arrestuan edhe Dedan Gjoni ish-shefi i krimeve në Komisariatin nr. 6, Bujar Ajeti dhe Besmir Murati. Të tjerët vijojnë në kërkim.

Referuar dosjes së SPAK, Gjoni ka siguruar kushtet për vrasjen e dy vëllezërve, ekzekutimi i të cilëve kërkohej nga Ismail Zeneli. Në këtë plan vrasje ishte përfshirë gjithashtu edhe shtetasi Bujar Ajeti.

Bashkë me Muratin ata dyshohen gjithashtu edhe për trafik të lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt BE.

VENDIMI I GJYKATËS SË POSAÇME TË APELIT PËR KORRUPSIONIN DHE KRIMIN E ORGANIZUAR

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 16.07.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 158 akti, datë 12.07.2024 regjistrimi, mbi ankimin e personit nën hetim E.B., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 76, datë 30.05.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:

Ndryshimin e vendimit nr. 76, datë 30.05.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në këtë mënyrë:

– Pranimin e kërkesës; zëvendësimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, të caktuar ndaj personit nën hetim E.B., me vendimin nr. 124., datë 17.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, verifikuar me vendimin nr. 128, datë 23.11.2023, të kësaj gjykate dhe miratuar me vendimin nr. 87-2024-4 (1), datë 04.01.2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me masën e sigurimit “Arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i këtij kodi.

– Urdhërohet lirimi i personit nën hetim E.B., nga ambientet e paraburgimit, nëse nuk mbahet i izoluar për ndonjë shkak tjetër.

– Urdhërohet personi nën hetim E.B., që të mos largohet nga banesa e tij e cila ndodhet në adresën ***, si dhe që të mos komunikojë me persona të tjerë, me përjashtim të atyre të cilët jetojnë në të njëjtën banesë.

– Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si dhe shërbimet e policisë gjyqësore përkatëse për zbatimin e këtij vendimi.

– Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij.