Komisioni i Etikës dhe Disiplinës në UEFA ka vendosur të gjobisë sërish Federatën Shqiptare të Futbollit me shumën 47,500 Euro për shkak të incidenteve të ndodhura gjatë ndeshjes së dytë të grupit ndaj Kroacisë.

Penalizimi financiar ka ardhur sërish nga problematika e shkaktuar nga disa tifozë shqiptarë, të cilët ndezën flakadanë gjatë ndeshjes, transmetuan mesazhe të papërshtatshme, si edhe për ndërprerjen e ndeshjes nga një tifoz gjatë zhvillimit të lojës.

Me këtë rast, Federata e Futbollit u bën sërish apel të gjithë tifozëve shqiptarë që të jenë më të përgjegjshëm dhe të shmangin krijimin e këtyre incidenteve dhe trazirave totalisht të evitueshme, që mund të sjellin penalitete financiare dhe dëmtojnë imazhin e Shqipërisë dhe futbollit shqiptar.

FSHF rikujton edhe një herë se gjatë ndeshjeve nuk lejohen mesazhet me natyrë politike, etnike, racore etj. Nga ana tjetër, FSHF fton tifozët të mbështesin deri në fund Kombëtaren shqiptare në EURO 2024 sikurse kanë bërë deri tani.


Vendimet e plota të Komisionit të Etikës dhe Disiplinës në UEFA:

Të gjobisë Federatën Shqiptare të Futbollit me 2500 Euro për ndezjen e fishekzjarreve.

Të gjobisë Federatën Shqiptare të Futbollit me 20.000 Euro për pushtimin e fushës.

Të gjobisë Federatën Shqiptare të Futbollit me 25.000 Euro për transmetim e mesazheve të papërshtatshme për një ngjarje sportive.


Burimi: FSHF