Shqipëria u kthye pas dy vitesh në tregun ndërkombëtar dhe mori Eurobondin e 5 me afat 10-vjeçar me vlerë 650 milionë Euro.
Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj, në një konferencë për shtyp tha se Eurobondi i marrë do të përkthehet në investime. Po ashtu, emetimi i tij ka rëndësi të madhe për likuidimin e financimit dhe nevojave të qeverisë për vitin 2021, por kryesisht për vitin 2022.
Ministrja tha se u zgjodh që të dilej në treg tani për shkak se norma e interesit është më e ulët. Pasi u pyet nga gazetarët ajo tha se vendi ynë nuk duhet krahasuar me vendet e rajonit sa i përket daljes në tregjet ndërkombëtare.
“Nëse do të kemi bazë krahasimi, të jetë me vendin tonë në çdo vit. Çdo vend ka rrethanat e veta dhe duhen bërë me performancën e vetë ekonomisë. Pra ecuria e një ekonomie duhet të matet me historikun e saj. Norma e interesit është 3.5. Më ulëta që kemi marrë ndonjëherë. E kemi marrë për një afat maturimi më të lartë. Nuk do ta krahasoja veten me vendet fqinje”, tha ministrja./tvklan.al