Kryeministri Rama i ftuar në tryezën e Forumit Ekonomik Botëror me tematikën “Mënyra se si do të udhëtojmë”, paraqiti shifra rekord të turistëve kohët e fundit.
Ai e ka cilësuar vitin e kaluar si një tjetër vit rekord për vendin, duke përmendur faktin se ky sektor ka gjeneruar 3.8 miliardë Euro vetëm në nëntë muajt e parë të vitit 2024.
Sipas tij, Shqipëria ka mirëpritur 11.7 milionë vizitorë të huaj, një rritje prej 15 përqind krahasuar me vitin 2023.
“Para se të arrimin këtë sukses në turizëm ne kishim sfidën që të ruajmë duke ndërtuar atë që na nevojitet. Është një sfidë shumë e madhe sepse Shqipëria ka fshatra të pabesueshëm dhe diversitete të jashtëzakonshme dhe ndërkohë duhet të kemi më shumë investime, kështu që përpiqemi ta balancojmë këtë. Kjo është një çështje madhore”, tha Edi Rama.
Rama theksoi se qeveria e tij po bën gjithçka që është e mundur për të ruajtur diversitetin e natyrës, duke shtuar numrin e zonave të mbrojtura dhe duke angazhuar arkitektë të mëdhenj ndërkombëtar për të përshtatur gjithçka që ndërtohet me mjedisin.
“Ne po përpiqemi të bëjmë më të mirën, nga njëra anë duke shtuar zonat e mbrojtura dhe duke krijuar më shumë mjete për të transformuar atë që mbrohet në një burim zhvillimi dhe nga ana tjetër duke angazhuar arkitektë të mëdhenj ndërkombëtarë për të pasur një cilësi të ndryshme projektesh nga sa kemi parë në rajon përreth nesh”, tha Rama.
Rama vuri në dukje konsolidimin e tregjeve kryesore të Evropës Perëndimore, si Italia, Gjermania, Franca, Spanja dhe Britania e Madhe, duke shtuar edhe rritjen e numrit të turistëve nga vendet e rajonit dhe tregjet e largëta aziatike e amerikane.
Kryeministri ishte optimist për shifrat e turizmit duke paralajmëruar rritje në sajë të përfundimit të punimeve të aeroportit të Vlorës dhe investimeve të tjera në infrastrukturë.
Klan News