Prokuroria e Tiranës nisi hetimet për Kolegjin Universitar Wisdom, për dyshimet se aty janë falsifikuar dhe shpërndarë në këmbim të vlerave monetare dokumente shkollore.
Hetimet e regjistruara në muajin Korrik pas një kallëzimi të bërë nga ish-rektori i këtij universiteti, Bajram Hasa, po ndiqen nga prokurorja Antoneta Sevdari, e cila pritet të bashkëpunojë edhe me autoritetet italiane.
Në kallëzim, ish-rektori denoncon se kishte marrë kontakt me njerëz që kishin marrë diploma aty dhe ka rezultuar se i është falsifikuar firma.
Disa ditë më parë, autoritetet italiane arrestuan 2 administratorët e kolegjit, bashkë me ta, në pranga ranë edhe 7 të tjerë të perfshirë në skemën e dhënies së diplomave false.
Autoritetet italiane e kanë ndjekur këtë hetim me përgjime dhe vëzhgime. Të dhëna, të cilat nëse janë me interes për hetimet shqiptare, do të kërkohen nga autoritetet tona me anë të letërporosive.
Nga ana tjetër, Ministria e Arsimit njoftoi se kishte nisur procedurat për mbylljen e këtij kolegji dhe se nuk i ka njohur kuotat studimore për vitin universitar 2024-2025.
Tv Klan