Udhëtimi i “Histori Shqiptare” në Tv Klan në Lazarat vijon drejt maleve, konkretisht drejt atij të Sopotit për t’u ndalur në një stan. Atje, i pret Viron Difo, një 30-vjeçar që tre muaj qëndron i vetëm në stan duke u kujdesur për dhitë,  për punët e përditshme që në orët e para të mëngjesit e deri vonë në darkë.

Por këtë jetë e ka zgjedhur me shumë dëshirë. Dashuria për bagëtinë e ka shoqëruar që në vegjëli pasi e mësoi nga i ati dhe as nuk e mendon një jetë tjetër. Gjatë kohës që qëndron në stan, Vironi mban lidhjet me botën moderne përmes një prej platformave sociale më të përdorura, TikTok-ut ku njihet si “mbreti i Gjokanës”.

Alma Çupi: Je i famshëm fare në TikTok!

Viron Difo: Jam se shikojnë këto, dhitë, qentë, kafshët.

Alma Çupi: Futesh në ‘live’, se ç’bën.

Viron Difo: Futem ‘live’  kur mjel ndonjëherë dhitë, hedh ndonjë video, i pëlqejnë të tërë se të gjithë me  këto janë rritur, le ç’bëjnë që kapardisen…  me këto e kanë udhën.

Alma Çupi: Nga fshati janë të tërë.

Viron Difo: Nga fshati. Ka nxjerrë djem esnafë.

Alma Çupi: Kur e ke hapur TikTok-un, sa kohë ka?

Viron Difo: Kush e mban mend, sikur jemi ne të rrjeteve sociale.

Alma Çupi: TikTok-un e përdor më shumë për  të komunikuar me njerëzit?

Viron Difo: Po jo,  hedh edhe këto videot se duan shokët, hidh ndonjë video andej nga mali se kënaqen,  më duan.

Alma Çupi: E bukur fare! Edhe e ke vënë emrin e TikTok-ut “mbreti i Gjokanës”.

Viron Difo: Po ja, unë jam këtu.

Alma Çupi: S’ka njeri tjetër jo./tvklan.al