Mbledhjet masive aktualisht janë të ndaluara në të gjithë botën, për shkak të masave të marra për parandalimin e përhapjes së virusit. Por fansat e muzikës në Gjermani janë nxitur të marrin pjesë në një koncert, që do t’i ndihmojë shkencëtarët të kuptojnë se si përhapet Covid-19 në ambiente të mbyllura.
Shkencëtarët po mbledhin 4,000 fansa të muzikës pop, të cilët do të pajisen me të gjitha pajisjet e duhura dhe shishet floureshente të dezinfektuesve.
Kjo do të ndihmojë ekspertët të shohin se si grimcat e virusit mund të parandalohen që të përhapen në koncertet e mëdha.
Pajisjet do të transmetojnë një sinjal në intervalin prej pesë sekondash, ndërsa gjithashtu do të mbledhin të dhëna për lëvizjet e personave, si dhe sa afër qëndrojnë pjesëmarrësit me njëri-tjetrin.
Pas koncertit, shkencëtarët do të jenë në gjendje të pastrojnë vendin me dritat UV, për të parë se cilat sipërfaqe kanë mikrobe dhe ku ka më shumë mundësi që të ndodhë infeksioni. Për të realizuar studimin do të përdoren tre skenarë të ndryshëm.
Në skenarin e parë, pjesëmarrësit do të marrin pjesë në koncerte siç zakonisht. Hyrja e tyre do të jetë nga dy vende.
Në skenarin e dytë ata do të hyjnë nga tetë hyrje. Kjo do t’i ndalojë njerëzit të përzihen.
Skenari i tretë parashikon që në një vend me kapacitet për 12 000 personash, të lejohen vetëm 2,000 spektatorë. Të gjithë do të ulen 1.5 metra larg njëri-tjetrit.
Organizatorët pretendojnë se qëllimi është të identifikojnë se si evente të mëdha mund të organizohen pas 30 Shtatorit, pa paraqitur rrezik për popullatën.
Stefan Moritz, drejtuesi i sëmundjeve klinike infektive në spitalin Universitar në Halle dhe koordinatori i eksperimentit tha: Ne po mundohemi të zbulojmë nëse mund të ekzistonte një mënyrë e mesme midis normales së vjetër dhe asaj të re, që do t’i lejonte organizatorët të përshtatnin sa duhet kushtet, që njerëzit të mos humbasin koncertet.
Studimi do të kryehet në masa te rrepta sigurie dhe pjesëmarrësit do të testohen 48 orë para eksperimentit.
Organizatorët shprehen se 100 përqind mbrojtje nga virusi nuk mund të garantohet, por pretendojnë se mundësitë e infektimit janë jashtëzakonisht të pakta. Shkencëtarët shpresojnë të zbulojnë gjetjet e tyre në Tetor./tvklan.al