Autoritetet amerikane kanë tërhequr vërejtjen se gjatë festës së Krishtlindjeve mund të ketë sulme terroriste brenda Shteteve të Bashkuara dhe jashtë tyre.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka tërhequr vërejtjen për sulme të mundshme në Egjipt dhe Jordani, ku grupet ekstremiste islamike aktualisht i kanë ndërmarrë disa sulme vdekjeprurëse dhe se në shënjestër të militantëve në mënyrë specifike janë shtetasit e vendeve perëndimore.

Njëherësh, agjencia amerikane FBI u ka thënë autoriteteve për zbatim të ligjit dhe shtetasve në gjithë vendin, se ata duhet të kenë kujdes të shtuar pasi simpatizuesit e Shtetit Islamik (IS), kanë publikuar një listë me kishat e Shteteve të Bashkuara dhe kanë bërë thirrje për sulme.

Lista e kishave të Shteteve të Bashkuara ishte postuar në faqet e mediave sociale të militantëve, disa ditë pasi një simpatizues i grupit ekstremist, me një kamion e sulmoi Tregun e Krishtlindjeve në Berlin, ku u vranë 12 persona./ tvklan.al