Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Flamur Noka në fjalën e tij në takimin e Federatës së Opozitës iu ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkohen në mosbindjen civile.

Noka nuk ka kursyer edhe akuzat ndaj Kryeministri Rama, ku theksoi se prej tre vitesh opozita është në një agresion të pandalshëm. Demokrati është shprehur se regjimi i Ramës është i bazuar në krim dhe se ka si synim kryesor bllokimin e zërit të opozitës duke burgosur ata të cilët denoncojnë krimet.

Lidhur me protestën e 7 Tetorit, Noka u shpreh se nuk është një protestë që po bëhet për një person, por po bëhet për Shqipërinë.  

Fjala e plotë e Flamur Nokës:

Regjimi i Edi Ramës, i bazuar fund e krye në drogë, krim dhe korrupsion, synimin e tij kryesor kishte institucionalizimin e mafies në pushtet dhue bllokimin e zërit qeveritar që të mos kishte zë askush për të denoncuar këtë krim që po bëhej në vendin tonë. Që të mos kishte asnjë zë që të denonconte lidhjet e Edi Ramës me trafikun e drogës. Që të mos kishte asnjë zë që të denonconte lidhjet e Edi Ramës me krimin e organizuar. Që të mos kishte asnjë zë që të denonconte korrupsionin galopant që u institucionalizua në Shqipëri si kurrë ndonjëherë dhe si në asnjë vend të botës.

Edi Rama ëndërronte veten të bëhej padron i Shqipërisë dhue jo kryeministër i Shqipërisë. Në këtë agjendë ai iu vërsul opozitës si bishë e tërbuar dhe tentoi të asgjësonte PD-në si partia kryesore e opozitës dhe më pas të rrënonte të gjithë opozitën. Ky skenar i dështoi sepse demokratët u bënë bashkë dhe e mbrojtën PD-në dhe forcën opozitare që solli pluralizmin në këtë vend nga likuidimi dhe falimentimi. Kur skenari i parë i dështoi, Edi Rama vendosi të implementojë skenarin e dytë për të likuiduar përsëri opozitën, duke burgosur lidershipin e opozitës. I fabrikoi me Skapin e partisë një paçavure që ata e quajnë dosje, liderit të PD, duke i faturuar firmat e Edi Ramës, Sali Berishës, dhe duke sajuar gjëra të paqena, por që në fakt në fund konkludoi që ishte një flluskë sapuni.

Kjo dosje sot, jemi të qartë ne si opozitarë dhe çdo shqiptar që është një dekoratë nderi për Sali Berishën se tregoi se në 33 vite politikë që iu bë vetingu, nuk rezultoi asnjë presje ligjore e shkelur nga Sali Berisha. Vazhdoi me burgosjen e Fredi Belerit si një opozitar që po i merrte bashkinë ku ai kishte projekte për të vjedhur dhe rrëmbyer prona me investitorët e tij strategjikë. Fredi Beleri ishte pengesa kryesore që pronat e bregdetit të vidheshin nga Edi Rama dhe Olta Xhaçkat e tij. Beleri u burgos politikisht.

Iu tundën prangat në emër të drejtësisë nga Skapi i partisë kreut të Partisë së Lirisë, vetëm e vetëm pse nxirrte në shesh të vërtetat që i digjnin Edi Ramës. Vazhdoi sulmi ndaj opozitës duke i tundur prangat kreut të Partisë Republikane, Fatmir Mediu. Nuk mjaftoi deri këtu, dashuria e Edi Ramës me Fatmir Xhafën kërkonte një kurban dhe kurbani në ëndrrat e tyre ishte përcaktuar, duhej të ishte nënkryetari i grupit parlamentar të PD, Ervin Salianji, sepse Salianji guxoi të thotë të vërtetën për një narkotrafikant që fshihej pas pushtetit të vëllait ministër.

Edi Ramën dhe Fatmir Xhafën i bashkon vetëm një gjë, kanë të njëjtin hall. Fatmir Xhafa i shqetësuar për Geronin vëlla trafikant, Edi Rama ka hallin e Olsit trafikant. Pra, vëllazëri në drogë dhe krim. Dhe mesa duket, ata po përpiqen të vazhdojnë agresionin ndaj opozitës për ta detyruar atë ose të heshtë, ose për ta shkrirë ose shkatërruar opozitën. Ne jemi këtu përfaqësues të forcave opozitare të këtij vendi, përfaqësues të popullit opozitar që nuk pranon të qeveriset nga krimi, droga, korrupsioni dhe mafia. Ne jemi këtu dhe do flasim në emër të atyre qytetarëve që refuzojnë shpopullimin dhe e konsiderojnë atë projektin më antikombëtar që ka ekzistuar në këtë tokë.Edi Rama e ka kopjuar këtë projekt nga Vaso Çubrilloviçi, akademiku antishqiptar serb. Atë që nuk e bëri dot Çubrilloviçi me ushtritë dhe hordhitë serbe, po e bën Edi Rama me hordhitë e tij në pushtet.

Ne jemi këtu për t’i bërë ballë këtyre hordhive të pushtetit, bandave të krimit të organizuar, jemi në emër të opozitarëve dhe qytetarëve të këtij vendi për t’i thanë stop këtij regjimi. PD si forca kryesore e opozitës ka vendosur që ditën e hënë me datë 7, në ora 18:00 të thërrasë në Tiranë qytetarët e këtij vendi për të filluar mosbindjen civile si rruga e vetme që kësaj opozite dhe këtij populli i ka ngelur për të shpëtuar Shqipërinë. Kjo betejë nuk bëhet për asnjë individ të veçantë, por për pluralizmin që po vdes, për demokracinë që po merr fund.

Kjo betejë bëhet për Shqipërinë. Shqipëria sot është në rrezik më shumë se kurrë. Sot Shqipërisë i kanoset një rrezik më i madh se ai që i kanosej nga diktatura bolshevike. Shqipëria kurrë nuk u hodh në tregun e mafies ndërkombëtare për t’u shpërbërë dhe për t’u shkatërruar dhe rrënuar. Të paktën, Shqipëria u ruajt, ndërsa sot Edi Rama dhe regjimi i tij kërkon që ta asgjësojë Shqipërinë në çdo lloj aspekti.

Ndaj ne jemi në këmbë dhe të vendosur që t’i bëjmë ballë dhe të luftojmë deri në fund për kauzën tonë. Kauza e çdo shqiptari sot është qeveria teknike për t’i dhënë zgjedhje të lira çdo shqiptari dhe që Shqipëria, më në fund pas 12 vitesh me zgjedhje të vjedhura dhe të dhunuara, pas 12 vitesh me narkoregjim, të kthehet në një shoqëri demokratike dhe pluraliste dhe në një shoqëri që zhvillohet dhe ecën drejt Europës. Rrugë tjetër për ne nuk ka. Rruga e vetme është të ngrihemi të gjithë kundër këtij regjimi dhe ne ftojmë sot nga kjo platformë e përbashkët të gjithë qytetarët e këtij vendi që të na bashkohen në mosbindje civile ditën e hënë në ora 18:00.

/tvklan.al