Programi “Historia ime”, në Tv Klan u ndal ditën e sotme tek një fenomen mjaft shqetësues, siç është analfabetizmi. Të ftuara në studio ishin mësuesja e gjuhës shqipe, Natasha Kazmaj Kalemi dhe studiuesja sociale, Entela Hidri.

Kalemi u shpreh se ajo që po vërehet tek nxënësit, në ditët e sotme është fakti se pavarësisht se ata janë prezentë në shkollë dhe lexojnë vazhdimisht, nuk janë në gjendje të bëjnë analiza ose interpretime të asaj që lexojnë.

Kjo nuk është vetëm në pjesën e komunikimit të përditshëm, por edhe në të shkruar. Ky fenomen vihet re tek nxënësit në 9-vjeçare dhe ata në gjimnaz dhe sipas saj këto probleme pastaj pasqyrohen në fakultet, në fushat përkatëse.

Natasha Kazmaj Kalemi: Po vëmë re që një pjesë e nxënësve, pavarësisht se janë prezentë në shkollë, duket sikur lexojnë vazhdimisht, lexojnë tekstin, kur vjen puna për të analizuar ose për të kaluar përtej asaj që lexojnë, për ta interpretuar dhe shprehur e kanë të vështirë. Kjo nuk është vetëm në pjesën e komunikimit të përditshëm, në të folur, por edhe në të shkruar. Gjithashtu për shkak të një gjuhe që nuk duket shumë e pasur, sot po bëhet problem siodomos tek brezat që janë në pjesën e 9-vjeçares, deri në gjimnaz. Kur kalojmë në fakultet, këto probleme pasqyrohen në fushat përkatëse pastaj. Pra të mos kuptuarit e asaj që lexojnë, të mos shprehurit, të mos komunikuarit me gjuhën që duhet, me termat që duhen është kjo që bën analfabetizimin funksional. Është një problem që fillon shumë herët, ne e hasim tek gjimnazi, tek moshat e rritura, por fillon që me fillimet e edukimit të fëmijëve.

Sipas një raporti të Bankës Botërore, rreth 50% e 15 vjeçarëve në Shqipëri janë analafabetë funksionalë. Hidri u shpreh se ky studim është kryer tek 15-vjeçarët sepse në këtë moshë ata kanë arritur një farë pjekurie në lidhje me të nxënit.

Entela Hidri: Fakti pse testi i Pizës, në të cilin bazohet edhe studimi i Bankës Botërore bëhet në moshën 15-vjeçare është pikërisht arsyeja sepse fëmija në moshën 15-vjeçare ka arritur një farë pjekurie në lidhje me të nxënin. Pra ai vazhdon të mësojë përgjatë gjithë jetës, por mënyra si ai mëson, le të themi pjekuria mendore në lidhje me të nxënin, le të themi që kjo lloj problematike duhet studiuar pak më thellë. Mësuesit, flas për masën e përgjithshme të mësuesve të fillores nuk fokusohen fort tek të nxënit nga njëra anë dhe problematikat si për shembull, ta identifikojnë një fëmijë që ka analfabetizëm funksional. Që do të thotë nuk e kupton atë që lexon, edhe pse mund ta artikulojë saktë, sepse i lexon gërmat, i ndjek me gisht, edhe pse i ndjek me sy, nuk ka aftësinë të perceptojë brenda vetes, pastaj edhe më pak aftësi ka t’ia japë tjetrit, atë që ka kuptuar nga teksti./tvklan.al