E konceptuar në formën e një baleti modern vepra e shkrimtarit te madh Ismail Kadare, “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” u ngjit mbrëmjen e së martës në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Me muzikë të Nikolla Zoraqit dhe koreografi të Agron Aliajt bashkëprodhimi shqiptaro-italo-francez ishte një prej shfaqjeve më impresionuese të festivalit të katërt ndërkombëtar të Dancit Modern që po zhvillohet në qytetin bregdetar.
Zhani Ciko: “Vepra në atë kohë është quajtur Tokë e pamposhtur, është shumë larg me gjeneralin sepse dhe gjenerali vetë, romani i Kadaresë ishte në roman që herë shifesh mirë, herë shifesh keq dhe autorët janë përpjekur thelbin e tij ta maskojnë në atë frymën pacifiste që ka ky roman, që dënon luftën, agresionin dhunën ndaj rinisë ndaj individit, ndaj fateve të njerëzve që pësojnë nga konfliktet.”
Përveç trupës së teatrit të Operas dhe Baletit në festival morën pjesë grupe nga Italia, Sllovenia, Greqia, Kanadaja dhe Hungaria. Kryebashkiaku Vangjush Dako e cilësoi këtë aktivitet një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore që zhvillohen në qytetin e Durrësit.
Organizatorët kanë nderuar me “Çmimin e karrierës” kërcimtaren veterane Ganimet Vendresha për kontributin e saj si balerinë dhe pedagoge e dancit klasik./tvklan.al