Një sasi tepër e madhe kanabis është bllokuar nga policia në një operacion masiv anti-drogë që u zhvillua gjatë natës në qytetin e Vlorës. Burime nga policia bëjnë me dije se sasia e konsiderueshme e drogës u gjet në dy banesa në fshatin Llakatund.

Lënda narkotike ende nuk është peshuar e gjitha. Por jozyrtarisht mësohet se bëhet fjalë për një ngarkesë rreth 15 ton kanabis sativa. Gjatë aksionit u sekuestruan edhe 5 armë zjarri kallashnikov. Disa persona janë shoqëruar në lidhje me tonelatat e drogës, ndërkohë që hetimet janë duke vijuar.

Pritet që Policia e Shtetit të japë informacione konkrete për këtë ngjarje.

Operacionin e përshëndeti edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako, i cili në orët e para të mëngjesit shkoi në Drejtorinë e Policisë së Vlorës dhe falenderoi uniformat blu që morën pjesë në aksion. Gjatë fjalës së tij, Çako e konsideroi luftën ndaj drogës si një prioritet të qeverisë dhe që duhet përmbushur.

“Pas analizës së bërë deri tani rezulton një situatë optimiste, por që nuk mund të na bëjë të flemë mbi dafina pasi do ta çojmë këtë operacion deri në fund dhe e kemi premtuar për të realizuar me sukses këtë prioritet të Qeverisë Shqiptare, në vlerësim të veçantë edhe të Kryeministrit shqiptar por dhe të detyrave e prioriteteve për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”

, theksoi ndër të tjera kreu i Policisë Shqiptare Haki Çako.

/tvklan.al