Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur komentuesve në rrjetet sociale që e kritikojnë se vendi ynë nuk ka rrugë për organizimin e eventit sportiv Giro d’Italia që nis në 9 Maj nga Shqipëria.
“I dashur Aurel ti thua Shqipëria s’ka rrugë për Giro d’Italia, sepse dëgjojmë vetëm lotët e Ballukut thua ti, por rrugë nuk shohim. Ndërkohë të zotët e punës që organizojnë xhiron, nuk e dëgjojnë fare Ballukun, madje kam përshtypjen as nuk e dinë kush është, por kur kanë ardhur vetë në Shqipëri për të parë kushtet, jo vetëm i kanë parë rrugët por kanë bërë një vlerësim shumë pozitiv, të të gjitha kushteve, infrastrukturë, hoteli, siguri, pastërti dhe ekipe profesionale në çdo bashki, fjalët e tyre këto jo të miat.”
Ky event sportiv për kreun e qeverisë është certifikata e një Shqipërie të rilindur, pasi organizimi i tij pak vite më parë ishte një ëndërr me sy hapur.
“Nuk ka të verbër më të verbër se ai që s’do të shikojë. Di të them që përfshirja e Shqipërisë në Giro d’Italia, është certifikata e një Shqipërie të rilindur, e cila nga burim paragjykimesh dhe përçmimi për shqiptarët, kudo, kurdo nëpër botë është kthyer në burim vlerësimi dhe respekti për të gjithë ne, për Shqipërinë dhe për çdo shqiptar. Ta mendosh që deri para disa vitesh Giro d’Italia në Shqipëri ishte si një ëndërr me sy hapur, por lum kush ka ambicie, kurajo, vullnetin të luftojë që ëndrrat me sy hapur të bëhen realitet. Sot ajo ëndërr me sy hapur është realitet, sepse unë ëndërroj, luftoj, fitoj falë një force të madhe popullore që quhet PS, pa të cilën asnjë ëndërr nuk bëhet dot realitet për Shqipërinë që duam për fëmijët tanë.”
Të hënën kryeministri Edi Rama ishte i ftuar në Romë gjatë prezantimit të “Giro d’Italia”, nga ku u shpreh se ky aktivitet sportiv do shërbejë si një promovim i madh turistik për Shqipërinë.
Tv Klan