Merkel dhe Macron, të gatshëm për samitin e Parisit
Gjermania dhe Franca presin që dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit të rifillojë shpejt. Nëpërmjet dy deklaratave të ndryshme të ambasadave të këtyre dy vendeve në Kosovë bëhet e ditur se kancelarja Merkel dhe presidenti Macron janë të gatshëm të presin liderët e Kosovës dhe Serbisë në një takim të posaccëm në Paris.
“Franca dhe Gjermania presin që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të fillojë së shpejti. Së bashku me kancelaren Merkel, presidenti Macron mbetet i gatshëm që të presë një samit në Paris”, thuhet në njoftimin e rastit të ambasadës franceze në Prishtinë.
Ndërkohë, ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, thotë se Gjermania dhe Franca nxitin dialogun dhe kërkojnë vetëpërmbajtje.
“Ne mbështesim plotësisht përpjekjet e BE dhe Lajçak për arritjen e përparimeve thelbësore për zgjidhje gjithëpërfshirëse. Qeveritë tona janë të gatshme të ndihmojnë për takimin e propozuar në korrik”, thekson ambasadori Heldt.
Tv Klan