Gabriele Gravina u rizgjodh si president i Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), për herë të tretë, ndërsa ishte kandidati i vetëm në këtë proces zgjedhor.
Në Asamblenë e Përgjithshme Zgjedhore, mori pjesë edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.
Gjatë qëndrimit në Itali, presidenti i FSHF-së uroi personalisht homologun Gravina për rizgjedhjen në krye të Federatës Italiane, duke e vlerësuar për punën dhe angazhimin e tij për zhvillimin e futbollit italian në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Presidenti Duka vlerësoi gjithashtu marrëdhëniet shumë të mira mes dy federatave ndërsa uroi që ky bashkëpunim të vazhdojë në projekte dhe iniciativa të përbashkëta.
“Kënaqësi të isha i ftuar sot në Asamblenë e FIGC së bashku me presidentin e UEFA-s, Aleksander Ceferin dhe presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino. E urova presidentin Gabriele Gravina për rizgjedhjen në krye të Federatës Italiane të Futbollit! Do të vijojmë bashkëpunimin e ngushtë me FIGC për të forcuar edhe më tej marrëdhëniet mes dy federatave dhe për të kontribuar në zhvillimin e futbollit. Urime dhe suksese në këtë mandat të ri!”, shkruan presidenti Duka në një status të publikuar në rrjetet sociale. /tvklan.al