Qendra e Beogradit u paralizua këtë të Hënë, nga e ashtuquajtura bllokadë e studentëve, një grevë 24-orëshe në vazhdim të protestave kundër presidentit Aleksandër Vuçiç të nisura prej disa javësh.
Protestuesit bllokuan bulevardet kryesorë në qendër të kryeqytetit dhe disa prej nyjeve hyrëse rrugore. Në mbështetje të tyre u erdhën edhe grupe fermerësh me traktorë nga mbarë Serbia.
Në fundjavë, një grup studentësh pushtuan edhe atë që konsiderohet edhe instituti më i vjetër i kulturës serbe, Matica Srpska i themeluar që në fillim të shekullit të 19.
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç doli se bashku me kryeministrin edhe kryetaren e Parlamentit në një deklaratë për mediat në lidhje me kërkesat e studentëve. Vuçiç u shpreh i hapur për dialog me studentët dhe se nuk e sheh atë si dobësi politike. Teksa paralajmëroi riformatim të qeverisë deri në 50 përqind të ministrave, ai u shpreh i gatshëm për të amnistuar 13 studentët dhe profesorët duke mos i ndjekur penalisht.
Protestat e studentëve, të mbështetura edhe nga parti të ndryshme opozitare pasojnë tragjedinë e Nëntorit në Novisad ku u shemb një pjesë e stacionit të saporikonstruktuar të trenit, që i mori jetën 15 personave. Manifestuesit akuzojnë Vuçiçin si përgjegjës për tragjedinë dhe për lidhje korruptive me ndërtuesit që kryen punime të dobëta në këtë projekt.
Tv Klan